Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 25 janar, nuk përmban ndryshime të mëdha dhe rrënjësore, krahasuar me projektligjet e miratuara nga qeveritë e kaluara, vlerësojnë përfaqësues të bashkësive fetare. Sociologu i religjionit, Ismail Hasani, në anën tjetër, thotë se në këtë projektligj ka mjaft terme të ngatërruara, të cilat më vonë mund të nxjerrin probleme.
Megjithatë, në rast se projektligji miratohet nga Kuvendi i Kosovës, bashkësitë fetare ligjërisht do të mund ta sigurojnë statusin e tyre juridik, i cili me Ligjin për lirinë fetare – i miratuar në vitin 2006 – nuk është përcaktuar. Projektligji i miratuar së voni njeh ekzistencën e shtatë bashkësive fetare në Kosovë, të cilat përbëjnë trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit.
Ato janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrej, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës.
Projektligjet e miratuara në vitin 2020, 2017 dhe 2014, që nuk janë shndërruar në ligj për shkak të mungesës së votave në Kuvendin e Kosovës, kanë njohur ekzistencën e gjashtë bashkësive fetare, duke mos e përfshirë si të veçantë Komunitetin Bektashian të Kosovës. Shumica e këtyre bashkësive e shohin projektligjin e ri si mjaft liberal. Por, kanë edhe vërejtje dhe mospajtime, të cilat, siç thonë, i kanë shprehur edhe gjatë shqyrtimit publik të tij, në dhjetor të vitit të kaluar.
Të gjitha bashkësitë fetare pajtohen në një pikë – se duhet të ketë një ligj që e njeh statusin e tyre juridik. Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila ka për qëllim organizimin e jetës fetare të 95 për qind të popullsisë së Kosovës që i takon besimit islam, konsideron se projektligji i miratuar nga Qeveria e Kosovës më 25 janar, nuk është varianti që është pritur nga kjo bashkësi.
Ramadan Shkodra, përfaqësues i BIK-ut, thotë se kjo bashkësi ka kërkuar që të ruhet sistemi unitar brenda bashkësive fetare. Por, sipas tij, projektligji aktual, nëse miratohet si ligj, do të mundësojë krijimin e shumë fraksioneve brenda një bashkësie.
“Ne jemi në favor të asaj që të njihet ana historike e bashkësive fetare, të njihet rruga e formimit të bashkësive fetare. Ne jemi ‘për’ që çdo qytetari të Kosovës t’i garantohet liria e besimit. Por, liria e organizimit është krejt diçka tjetër. Me këtë ligj, në Kosovë do të kemi shumë telashe. Nesër mund të kemi bashkësi të këtyre ideologjive ekstremiste. Për anakronizëm, vetë Qeveria e Kosovë i ka ndaluar OJQ-të [organizatat joqeveritare] me baza fetare. Ndërkaq, tani krijon rehati që të krijohen shumë bashkësi fetare të një besimi”, thotë Shkodra për Radion Evropa e Lirë.
Në nenin 7A të projektligjit të ri thuhet se në Kosovë “mund të regjistrohen edhe bashkësi të reja fetare”, përmes kërkesës për regjistrim, si dhe me kushtin që kur regjistrohen “i kanë së paku 100 anëtarë” shtetas të Kosovës, të moshës madhore.
Kisha Katolike: Vërejtje lidhur me inspektimet financiare
Nga Kisha Katolike thonë se ky projektligj, në parim, është i pranueshëm. Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës, thotë se si ipeshkvi kanë dhënë sugjerime dhe se një nga vërejtjet e tyre ka pasur të bëjë me çështjet ligjore të inspektimit të të hyrave dhe daljeve financiare të kishës.
“Aty i kemi pasur vërejtjet tona, sepse, në qoftë se investon Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës atëherë ka të drejtë për rishikimin e të hyrave dhe daljeve. Ndërkaq, ato që janë ekskluzivisht brenda kishës, siç janë ofertat brenda kishës nga besimtarët… Ne nuk e kemi pranuar këtë çështje”, thotë kancelari ipeshkvor i Kosovës.
Në Nenin 12B të projektligjit, i cili përcakton raportimin financiar, thuhet se të gjitha bashkësitë fetare “janë të obliguara që deri më 31 mars të vitit pasardhës, t’i dërgojnë pasqyrat financiare të audituara për vitin paraprak”.
KOS: Nuk patëm mundësi të konsultohemi për projektligjin
Kisha Ortodokse Serbe (KOS), në dhjetor të vitit 2022, ka dërguar dy përfaqësues të saj në konsultimet e organizuara nga Qeveria e Kosovës lidhur me projektligjin, por ata “nuk kanë mundur të kenë qasje të plotë në këto konsultime dhe as t’i japin sugjerimet e veta”, për shkak se atyre “nuk u është siguruar përkthimi në gjuhën serbe, siç parashihet edhe me ligj”. Kështu thotë Millosh Periq, sekretar i Dioqezës së Prizrenit, në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.
“Ne jemi duke punuar në analizën e draftit të ri dhe avokatët tanë do të konsultohen me ekspertët përkatës, si dhe me përfaqësues ndërkombëtarë. Projektligji për të cilin Kisha jonë ra dakord para disa vitesh dhe ishte aktual deri vonë, u ndryshua në disa pika të rëndësishme, ndërsa ne nuk patëm mundësi të shprehim kundërshtime apo të konsultohemi për të”, thotë Periq.
Ai shton se, megjithatë, është mirë që në projektligjin e ri, ashtu sikurse edhe në atë të vitit 2020, Kisha Ortodokse Serbe është regjistruar me emrin e saj ligjor, i cili është i pranuar edhe në Kushtetutën e Kosovës. Sipas tij, ligji do të garantojë paprekshmërinë e strukturës së brendshme të të gjitha bashkësive fetare, përfshirë edhe Kishën Ortodokse Serbe.
“Kjo do të thotë se Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë është një entitet i pandashëm me Kishën Ortodokse Serbe, selia e së cilës është në Beograd”, thotë Periq.
Marrë parasysh se regjistrimi për komunitetet tradicionale fetare është automatik, ai thotë se Kisha Ortodokse Serbe “nuk do të kalojë në procesin e regjistrimit”, por se “subjektiviteti dhe vazhdimësia e saj ligjore në këto fusha do të njihen automatikisht”.
Në projektligj, në nenin 4A, pika 2, thuhet se shtatë bashkësive fetare, të cilat janë specifikuar, u pranohet statusi i personit juridik. Ndërkaq, në nenin 7A, pika 1, thuhet se “bashkësitë fetare nuk janë të detyruara të regjistrohen dhe të pranojnë statusin e personit juridik kundër vullnetit të tyre”. Periq thotë se qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe mbi projektligjin do të varet nga vlerësimi i ekspertëve për çështje juridike dhe fetare, me të cilët kjo kishë është duke u konsultuar. Ky qëndrim, më pas, do të jetë edhe bazë për deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës se si do të votojnë.
Marrë parasysh që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare është me rëndësi vitale, atëherë ai kërkon dy të tretat e votave të dyfishta të deputetëve, që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti serb ka dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend.
KPUK: Projektligj liberal me “detyrim skandaloz”
Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) e vlerëson si mjaft demokratik dhe liberal Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare. Por, kryetari i kësaj kishe, Femi Cakolli, thotë se ai nuk saktëson se kush i siguron parcelat për të gjitha bashkësitë fetare, me trajtim të barabartë.
Gjithashtu, thotë Cakolli, në projektligj nuk është futur sugjerimi që personat joshtetas të Kosovës që vijnë në vend për çështje besimi, të njihen si misionarë ose varësisht emërtimeve që mund t’ua japin bashkësitë fetare.
Projektligji aktual, sipas tij, trajton edhe një çështje, e cila në formën siç është përcaktuar, rrezikon të cenojë ruajtjen e besimit ndërmjet klerikut dhe besimtarit të krishterë, me rastin e “pendimit-rrëfimit”.
“Aty, në mënyrë të prerë, thuhet se klerikët e bashkësisë fetare detyrohen të bashkëpunojnë me organet e ndjekjes për një të dyshuar. Mendoj se ky është rasti më skandaloz që mund të ekzistojë në këtë formë, sepse ‘detyrimi’ nuk do të duhej të ishte në këtë mënyrë dhe që shteti ose Qeveria të flasë me këtë gjuhë, apo ligjvënësit. Ne ia kemi bërë vërejtjen Qeverisë. Këtu mendoj se shteti ka shkuar përtej asaj sesi funksionon një bashkësi fetare. Por, ne pajtohemi që kur ka një vendim gjykate për një person që rrezikon sigurinë, që është për terrorizëm, për shëndet publik, etj…”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.
Ai i referohet nenit 12 A, pikës 4 të projektligjit, ku thuhet: “Të gjitha bashkësitë fetare/kishat janë të detyruara të bashkëpunojnë me prokurorin e shtetit, gjykatat dhe organet e tjera kompetente që marrin pjesë në procedurat penale në lidhje me veprat penale (të ndryshme)”.
BTK: Pa regjistrimin e bashkësive fetare, Kosova nuk e njeh veten
Lulzim Shehu, sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës (BTK), vlerëson se projektligji aktual nuk ka ndryshime esenciale, në krahasim me tri projektligjet e miratuara nga qeveritë paraprake të Kosovës. Ai thotë se në procedurë të përpilimit të projektligjit nuk ka pasur probleme.
“Unë shpresoj që ky ligj do ta plotësojë një vakum, në të cilin Kosova, në të vërtetë, nuk e njeh vetveten. Nuk do të thotë që dikush nga jashtë të të njohë. Kosova nuk e njeh veten, me vetë faktin që nuk ka pasur mundësi që bashkësitë fetare të regjistrohen”, thotë Shehu për Radion Evropa e Lirë.
Hasani: Ngatërrim i termeve dhe emërtimeve
Profesori i sociologjisë së religjionit në Prishtinë, Ismail Hasani, vlerëson se projektligji në fjalë – me përjashtim të disa risive rreth mënyrës së organizimit të bashkësive fetare – nuk shkon përtej ligjit të miratuar në vitin 2006, si dhe projektligjeve që janë miratuar nga qeveritë deri në vitin 2020.
Në sfondin e bashkësive fetare, sipas tij, është shtuar Bashkësia e Komunitetit Bektashian, e cila më herët ka qenë në kuadër të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës. Gjithashtu, sipas tij, në projektligjin aktual nuk është shënuar asnjë hap më tej në përkufizimin e Kishës Ortodokse Serbe. Hasani vlerëson se në projektligj ka terminologji të ngatërruar ndërmjet etnisë, bashkësive fetare dhe besimeve. Sipas tij, përkufizimi i Kishës Ortodokse është ngatërruar me termin Kishë Ortodokse Serbe, duke i dhënë një entiteti edhe ndajshtesën e etnisë.
Ai thotë se është i vetëdijshëm që në këtë pikë ekziston sfondi politik i kësaj çështjeje, për shkak të përfshirjes së Kishës Ortodokse Serbe në Dokumentin e Ahatisarit – në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës në vitin 2008 – por edhe në hartimin e Kushtetutës së Kosovës.
“Do të ishte element civilizues që Kisha Ortodokse në Kosovë të mos e merrte ndajshtesën e elementit etnik, sepse Kishës Ortodokse mund t’i takojnë edhe njerëzit që nuk janë të entitetit etnik serb”, thotë Hasani.
Ai shton se ndajshtesën e natyrës etnike e ka marrë edhe Bashkësia e Besimit Hebrej. Por, sipas tij, “nuk ekziston besimi hebre, por vetëm përkatësia etnike hebreje” dhe “besimi quhet judaizëm”.
Siç thotë Hasani, emërtimi në ligj “Kishë Katolike” gjithashtu krijon konfuzion, sepse ekzistojnë shumë kisha katolike. Ai thotë se, në këtë rast, është dashur të shtohet ndajshtesa e shtetit – përkatësisht “Kisha Katolike – Ipeshkvia e Kosovës” – ashtu siç është bërë me Bashkësinë Islame të Kosovës ose Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës.
Për më tepër, thotë Hasani, nga Bashkësia e Tarikateve të Kosovës ka dalë një bashkësi tjetër që emërtohet Komunitet Bektashian i Kosovës, ndërkohë që “bektashinjtë i takojnë njërit prej 12 tarikateve që veprojnë në Kosovë”.
Hasani, po ashtu, thotë se është kundër kriterit që përcakton se për themelimin e një bashkësie fetare janë të domosdoshëm 100 persona. Sipas tij, theksi është dashur të bjerë më tepër në plotësimin e kritereve të tjera.
“Tani ky është sekret publik, pra paraqitja e grupeve të ndryshme ekstreme, që shpërfaqen jo vetëm në Kosovë, por gjithandej ku ka vende të krizave – pjesëtarë të entiteteve të ndryshme etnike, refugjatë të ndryshëm, të cilët janë të strehuar përkohësisht në Kosovë… Këto, pastaj, e ngatërrojnë gjithë situatën. Do të thotë, në pikëpamje ligjore, ne mund të jemi në rregull nëse përmbushet ky kriteri i numrit 100. Por, shtrohet pyetja se kush janë ata 100 persona? Ky është problemi”, thotë Hasani.
Sipas tij, në disa pika të projektligjit shpërfaqet edhe tendenca e përzierjes së institucioneve ose shtetit në rituale të caktuara të bashkësive fetare, që, në fakt, janë kompetenca rigoroze të këtyre bashkësive. Për këtë arsye, siç thotë Hasani, projektligjit duhet t’i shtohet preambula, që specifikon se “Republika e Kosovës është shtet laik”.
Përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovë shprehen skeptikë për miratimin e këtij projektligji në Kuvend, për shkak se nevojiten dy të tretat e dyfishta të votave të deputetëve të komuniteteve joshumicë, të cilat vështirë mund të sigurohen nëse deputetët e komunitetit serb janë kundër.
Se kur do të arrijë projektligji në Kuvend, nuk është ende e qartë. /REL/