Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në përmbledhjen e punëve të javës, theksoi se “nga ana e qeverisë, por edhe me programet e mbështetjes, i kemi mbështetur vazhdimisht gratë rurale, duke iu dhënë atyre prioritet”.
“Në programin IPARD II, ne kemi mbështetur mbi 137 gra fermere me një buxhet prej 24 milionë euro, gra sipërmarrëse që kanë ndërtuar serra apo plantacione për fruta-perime, ferma blegtorale për qumësht, mish, vreshta, njësi përpunimi, ferma të bimëve aromatike dhe mjekësore, për turizmin rural, agroturizmin, të cilat sot punësojnë dhe zhvillojnë ekonomitë e tyre familjare, por punësojnë dhe të tjerë nëpër zona të thella rurale”, theksoi Krifca.
Ndërkohë gjatë kësaj jave ministrja Krifca ishte jesë e delegacionit zyrtar të Kryeministrit Rama, në takimin me kancelarin Scholz, në Berlin.
“Ndoqa me shumë kënaqësi konfirmimin dhe mbështetjen e plotë të kancelarit ndaj Shqipërisë në rrugën e integrimit Evropian, folëm për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë, ku pjesë të tij do të ketë forume të biznesit për të nxitur më shumë bashkëpunim ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Ashtu sikurse jemi duke punuar dhe ne në ministri, me ministrinë e Bujqësisë së Gjermanisë, përmes një instrumenti të ri që po ngremë, një partneritet i ri institucional që do e firmosim së shpejti, i cili do të synojë fuqizimin e dialogut bilateral mes ministrive tona, shkëmbimin e eksperiencës në fushat e bujqësisë, sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe do e shtrijmë më tej këtë bashkëveprim. Ndërkohë gjatë vizitës në Berlin, pata mundësi të shoh nga afër stendën e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit në Berlin, ku më erdhi shumë mirë për prezantimin dinjitoz të vendit tonë në këtë panair, ku agroturizmi për herë të parë merrte pjesë si segment i rëndësishëm i ofertës turistike, I lidhur ndjeshëm me traditën, kulturën, me kulinarinë e njerzve tanë”, nënvizoi Krifca.
Ministrja Krifca bëri të ditur se “nisëm gjatë kësaj jave në Qendrën e Transferimit të Teknologjive të Fushë-Krujës, një program këshillimi të dedikuar me 20 ferma blegtorale në rajonin e Krujës dhe Shkodrës, për të ndihmuar posaçërisht fermerët të rrisin kapacitetet prodhuese. Ndërkohë që gjithashtu kemi firmosur udhëzuesin për aplikantë, për Skemën Kombëtarë të Mbështetjes së Bujqësisë dhe përmes Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor, Agropikave, po marrim të gjitha masat për të qenë gati me fillimin e aplikimeve të Skemës së Mbështetjes në Bujqësi për këtë vit”.
“E gjithë trupa jonë e bujqësisë do të jetë në terren për të informuar fermerët për aplikime të suksesshme gjatë kësaj skeme”, tha Krifca.