Në më shumë se një rast gjatë karrierës së tij, Francesco Tottit është lidhur shpesh me Real Madrid. Ish-sulmuesi i famshëm është kërkuar me ngulm nga madrilenët, por italiani zgjodhi ta zhvillonte të gjithë karrierën te klubi i zemrës, Roma. Por, sot kur është i liruar nga detyrimet, Totti e pranon se Reali është një klub që e ka admiruar gjithnjë dhe se për të pas Romës, vijnë pikërisht “Los Blancos”.

Së fundmi, Totti ishte i pranishëm në ndeshjen e Real Madrid ndaj Celta Vigos, ndërsa është paraqitur edhe në qendrën sportive të spanjollëve, Valdebebas. Nga aty, ish-futbollisti foli edhe për marrëdhënien e tij me Carlo Ancelottin, apo ndjesinë e të luajturit si kundërshtar në stadiumin Santiago Bernabeu.

“Ishte një ndjesi shumë e bukur të shihja Realin nga tribuna e Bernabeut. Ishte hera e parë që ndiqja Realin nga shkallët e stadiumit, pasi më parë kam qenë në fushë si kundërshtar. Përshëndetjet nga ana e tifozëve të Real kur luaja si kundërshtar janë diçka që do të më shoqërojnë për të gjithë jetën.

Është emocion unik të të duartrokasin në Bernabeu. Është një stadium që reflekton shumë pasion dhe të jep dëshirë për të fituar. Edhe si kundërshtar ndjehesh shumë i motivuar.

Ancelotti? Unë edhe ai kemi një marrëdhënie shumë të bukur. Është një person i sinqertë dhe që transmeton shumë pozitivitet, më dha mundësinë që të njoh më shumë qytetin e Madridit. Më duhet të them se pas Romës, Real Madrid është skuadra ime e dytë dhe është një klub të cilin e kam admiruar gjithnjë.

Gjysmëfinalja në Champions League kundër Manchester Cityt? Është si një finale e parakohshme. Janë përballë dy skuadra dhe dy klube të mëdha, bëhet fjalë për rreth 50 futbollistë me nivel të lartë botëror. Mund të ndodhë gjithçka, por unë jam tifoz i Realit dhe shpresoj të mbërrijnë në finale”, u shpreh Totti.