Analiza e situatës ekonomike dhe financiare në vend apo projeksionet për të ardhmen, ishin në fokus të takimit mes Guvernatorit Gent Sejko dhe përfaqësueses së FMN-së, Anke Weber. Guvernatori Sejko vlerësoi se ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje gjatë 2023, duke dëshmuar qëndrueshmërinë e sektorit financiar.
“Rritja ekonomike pritet të udhëhiqet nga rritja e konsumit privat dhe e eksporteve në planin e kërkesës agregate dhe nga zgjerimi i sektorit të shërbimeve e të ndërtimit në planin sektorial. Lidhur me sektorin bankar, veprimtaria e tij është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, me tregues të përfitueshmërisë dhe kapitalizimi në nivele të përshtatshme për të ofruar mbështetje për stabilitetin financiar të vendit.”
Një tjetër çështje e diskutuar ishte edhe Euro e forcimi i Lekut, ku sipas Sejkos Shqipëria ka pasur gjithnjë regjim të lirë të kursit të këmbimit.
“Tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit, duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative, çka sugjeron se forcimi i kursit të këmbimit të Lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale dhe jo nga tregu financiar. Të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë një rritje të konsiderueshme në investimet e huaja direkte dhe një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga turizmi, rritje të eksporteve në total, si dhe një rritje të remitancave në krahasim me vitin e kaluar.”
Edhe Shefja e Misionit të FMN-së konstatoi se trendi forcues i kursit të këmbimit është në linjë me rritjen e eksporteve dhe përmirësimet strukturore në balancat e jashtme të ekonomisë shqiptare.