Brenda 10 ditësh të gjithë punonjësit e policisë së shtetit do të njihen me kodin e etikës ndërsa u kërkoi të ecet sa më përpara revolucioni digjital.

“Brenda 10 ditësh nga sot Kodi Etik i Drejtuesve dhe Punonjësve të Policisë së Shtetit, do t’i lexohet çdo efektivi të policisë dhe do të vendoset në kornizë në çdo hyrje drejtorie dhe komisariati në Shqipëri.

Revolucioni Digjital në Policinë e Shtetit do të duhet të çohet përpara me një ritëm dhe efikasitet shumë më të lartë se deri tani dhe Komisariati Digjital do të marrë një peshë dhe rëndësi të dorës së parë, ai aplikacion duhet të jetë porta ku çdo qytetar jo vetëm mund të hyjë nga çdo smartfon apo kompjuter, por edhe të marrë përgjigje të shpejtë, jo vetëm me fjalë në të gjitha rastet, por edhe me vepra në çdo rast që ankesa është e drejtë.

Në kohën kur qeveria po punon për të futur inteligjencën artificiale në platformën E-albania, në procesin e Integrimit Europian, në procesin e tenderimeve publike dhe të tjerë sektorë dhe kur dikastere të ndryshme kanë bërë kapërcime të mëdha në rrugën e Revolucionit Digjital, Policia e Shtetit nga një pararojë e digjitalizimit është kthyer në bishtin e fundit të kavallit. Të marrim shembull nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor Shqiptar, dje një nga simbolet e kaosit dhe korrupsionit në këtë vend, sot ai institucion është një pasqyrë e forcës së modernizimit digjital, falë të cilit lejet shqiptare të drejtimit u njohën deri edhe në Gjermani, ku dihet mirë se sa e vështirë është të kalosh provën e besueshmërise teknike”, tha Balla.