Brazili është në zi pasi të mërkurën në mbrëmje u gjet trupi i pajetë i Vinicius Skulny, futbollistit 19-vjeçar i cili ishte në kërkim prej 10 ditësh.

Skulny u gjet në lumin Iguatema në shtetin brazilian të Mato Grosso do Sul, në komunën e Sete Quedas.

Futbollisti i ri është gjetur me kokë të prerë, ndërsa trupi i tij është copëtuar. Policia lokale po shqyrton disa opsione dhe ende nuk ka përcaktuar shkakun që ka çuar në vrasjen e Skulnyt.

Ai u raportua i zhdukur më 25 qershor pasi kishte shkuar në një festë me miqtë e tij pas një ndeshje dhe që nga ajo kohë pati humbur çdo gjurmë.

Policia i dha fund kërkimit vetëm kur trupi i tij doli në sipërfaqe. Më saktësisht, i shfaqeshin vetëm pjesë të trupit dhe futbollisti u identifikua në bazë të tatuazheve.

Në mediat braziliane deri më tani ka vetëm spekulime. Raportohet se Skulny shkoi për të vizituar ish-të dashurën e tij, pas së cilës dyshohet se u vra nga partneri i saj aktual. Gjithçka është ende në nivelin e spekulimeve.