Plani i propozuar nga kryeministri Albin Kurti për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës për analistët cilësohet si antikushtetues, pasi po anashkalohet Parlamenti.
“Vazhdimi i mandatit të EULEX-it është bërë vetëm përmes letër-këmbimit ndërmjet presidentes Osmani dhe përfaqësuesve të BE-së, duke e anashkaluar Kuvendin e Kosovës. Sipas normave kushtetuese në Kosovë, asnjë dorëzim i sovranitetit nuk mund të bëhen duke e përjashtuar Kuvendin e Kosovës”, tha Afrim Kasolli, analist.
“Ushtrimi i sovranitetit duhet të bëhet nga institucionet tona dhe në këtë rast, ushtrimi i kompetencave ekzekutive që ka pasur në të kaluarën EULEX-i, domosdoshmërish është kaluar përmes ratifikimit në Kuvend, siç parashihet me nenin 18 të Kushtetutës”, tha Ardian Bajraktari, analist.
Kryeministri Kurti kishte paraqitur një plan prej disa pikash kur parashikohej mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe në vjeshtë, tërheqja me 25% të prezencës policore në veri të Kosovës, si dhe bashkëpunim me KFOR dhe ELUEX për çështjet e sigurisë.
Propozimi u bazua në një marrëveshje paraprake që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi arriti me të dërguarin e posaçëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.