I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ka marrë zotime që Serbia nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës dhe se Serbia do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe. Ai i ka bërë këto deklarata para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, teksa ka diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj këtij rajoni.

Duke folur për tensionet e fundit në veri të Kosovës, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në shtensionim dhe se janë duke punuar për t’i çuar përpara shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve evropiane dhe transaltantike. Escobar ka thënë se shpreson në përparim të rëndësishëm këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë. Ai është ndalur sidomos të Marrëveshja e Ohrit – e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në mars të këtij viti – duke thënë se ajo ofron mundësi të jashtëzakonshme që dy vendet të krijojnë marrëdhënie paqësore me njëra-tjetrën.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, ka thënë Escobar.