Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u ndal në fshatin Gosë të Rrogozhinës, ku zhvilloi një takim me banorët e zonës, të cilët i ftoi që më 23 korrik të votojnë kandidatin Edison Memolla. Veliaj tha se të gjithë e kanë kuptuar, edhe ata që më 14 Maj votuan kundër, që zgjedhja e duhur për Rrogozhinën është Partia Socialiste.

“Shumë nga ata që herën e fundit i kishim përballë, sot na janë bashkuar dhe dua t’i falënderoj, se asnjë njeri nuk është i pagabueshëm. Njerëzit kanë opinione të ndryshme, njerëzit kanë ide të ndryshme, njerëzit kanë dashuri, por kanë edhe inate të ndryshme. Por kur pamë sa afër ishte rezultati unë besoj se edhe ai që mund të ketë pasur një qejf mbetje, edhe ai që nuk doli në votim, edhe ai që ndoshta për inat të vogël tha t’u jap një mësim, sot i ka thirrur mendjes dhe ka kuptuar që kjo nuk është gallatë. Me cic-micet e vogla nuk mund ta çojmë Rrogozhinën si plaçkë te Saliu. E keni parë Saliun, përditë vrer-vrer?! E ka refuzuar Amerika. E ka refuzuar Anglia dhe Saliu vetëm vrer përditë. U rrah në Tiranë. U rrah me 60 mijë vota”, tha Veliaj.

Ai tha se Saliu tani nuk ka punë tjetër dhe merret me familjet e njerëzve, sepse mendon që janë të gjitha si familja e vet, që vetëm vjedhin dhe shkatërrojnë.

“Merrej me gruan time, per vendin ku kishte punuar para dhjetë vitesh. E dini pse merret me kalamajtë tanë dhe me gratë tona?! Se Saliu mendon se të gjithë i kemi familjet si ai. Saliu mendon se gjithë gratë e Shqipërisë janë si Argita, me faturën 3 milionë euro për çdo biznesmen që vjen. Saliu mendon që gjithë çunat e Shqipërisë janë si Shkëlzeni, vidh prona, vrit njerëz, hidhi në erë në Gërdec. Ai mendon se të gjithë ne jemi si ai. Një nga arsyet pse merret me gratë dhe me kalamajtë e të gjithëve është se ai mendon se çdo familje në Shqipëri kështu jeton, duke vrarë, duke prerë, duke vjedhur, duke përçarë dhe ai pa dashje i flet Frojdit. Pa dashje, siç e ka familjen e vet, mendon se janë familjet e të gjithë shqiptarëve . Ai nuk e di që në Rrogozhinë njerëzit çohen që në katër të mëngjesit. Njerëzit në Gosë çohen që pa dalë dielli, që të sigurohen që punohet ara. Që të sigurohen që produkti vilet. Që të sigurohen se mbrohet edhe nga i nxehti, edhe nga breshëri, edhe nga shiu pafund”, tha Veliaj.

Më tej ai shtoi: “Kur e sheh atë tjetrin përballë që përfaqëson Saliun, mendon realisht që ai do rregullojë shtëpinë tënde, do zgjidhë hallet e tua? A ju kujtohet kur e patë në 8 janar duke i hedhur bomba molotov SHQUP-it, selisë së vet? Duke marrë shkop bejsbolli për t’i rënë shokëve të vetë aty brenda. Në fakt ky bixhozxhiu që ka ardhur këtu, s’e di me kë është, është me Lulin a me Saliun? Se i ndërron krahët tërë kohës, në varësi të interesit, por një njeri që djeg shtëpinë e vet, a mund të shuajë zjarrin e shtëpisë tënde? Një njeri që me vare prish muri e shtëpisë së vet, a mund ta ndërtojë avllinë e shtëpisë tënde? Një njeri që hedh çatinë e vet në erë, a mund të vendosë tjegullat e çatisë tënde? Një njeri që merr kërbaçin për t’i rënë kokës shokut të vet, a mendoni që do shërojë plagët e familjeve tona? Ndaj ne na duhet Edisoni që është çuni ynë, që është produkt bio këtu, që është një djalë i rritur në Rrogozhinë, që erdhi nga Italia për të shërbyer dhe unë jam i bindur që në Gosë ne do kemi rezultat spektakolar dhe do jetë lokomotiva e fitores sonë.”