Lista e tyre është e gjatë, por zyrtarisht emrin “Veteran” e mbajnë veç 3 kosovarë. Pos UÇK-së, komuna e Klinës me emër fëmijësh e nderoi edhe KFOR-in.

Emri e mbiemri i komandantit legjendar, Adem Jashari, është identiteti i një djali në Prishtinë.

Ndërsa prindërit kryeqytetas, gjilanas e ata nga Prizreni nuk lanë anash as emrin Plumbi – emëruan fëmijët e tyre me këtë emër, që në krejt vendin janë veç 3.

Këto emërtime interesante e goxha patriotike u shpërfaqën kur para disa ditësh, Agjencioni i Statistikave të Kosovës bëri publik rubrikën për kërkim emrash në krejt Republikën.

Pikërisht në këtë faqe u mor vesh se një djalë në Vushtrri quhet Arrestim, e për 14 të tjerë, me gjasë familjet e tyre harxhuan shumë, meqë i quajtën Shpenzim.

Kreativiteti i emrave nuk ndalet me kaq, meqë kosovarët i regjistruan foshnjat e porsalindura edhe me emra shpendësh.

Gjakova e Peja i kanë 3 emra Pula, ndërsa në Vitia një person quhet Gjel.