Luis Rubiales vazhdon të jetë në qendër të kritikave në Spanjë pas puthjes në buzë me futbollisten Xheni Hermozo. Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, është pezulluar nga detyra dhe është nën hetim për abuzim seksual, ndërkohë që akuzat janë rënduar tashmë edhe nga e shkuara e errët e tij.

Ndër vite, Rubiales ka qenë në qendër të kritikave për shkak të sjelljes së tij me punonjëset apo edhe futbollistet. Ai akuzohet se ka ngacmuar edhe sekretaren, ndërkohë që xhaxhi i tij, Huan Rubiales ka deklaruar se Luis Rubiales ka paguar shpesh herë vajza të reja për marrëdhënie seksuale dhe të gjitha pagesat janë bërë me fondet e Federatës. Ndërkohë ai shtoi se bashkë me ish-futbollistin Nene, kanë organizuar edhe orgji.

Rubiales është i përfshirë gjithashtu në hetimin për shkak të përgjimeve telefonike duke qenë se kohë më parë, ai ka pasur një telefonatë me Piken, duke diskutuar për të zhvendosur Superkupën e Spanjës në Arabinë Saudite dhe për këtë, do të merrnin shuma të majme por gjithçka ishte bërë në kundërshtim me ligin.

Në Spanjë, kanë filluar edhe protestat kundër Rubialesit dhe shoqata të shumta feministe, kërkojnë dënimin e tij për shkak se pretendojnë që kanë shkelur të drejtat e grave.