Nga Alba Malltezi
Nëse disa vazhdojnë të jenë mosbesues me forcën e madhe që fsheh një vend si Shqipëria, ka akoma disa elementë të cilët, nëse i kanë anashkaluar, mund t’i kthejnë sytë e t’i shikojnë dhe veshët, t’i dëgjojnë.
Me shirat e këtyre ditëve, vera e bukur plot miq nga çdo cep i largët i globit duket e lënë pas, por për asnjë çast të mos besojmë se me të vërtetë nuk jemi në një rrugë ku dalëngadalë, si shqiptarë, po zbulojmë sekretet, thesaret e fshehta të tokës tonë dhe virtytet e njerëzve.
Disa, me të drejtë, ankohen dhe kritikojnë, të tjerë mbulojnë dhe gëzojnë; incidente (disa tepër të rënda) ndodhën edhe këtë sezon, por ama, secili nga ne nuk mund të mos shohë dhe pranojë ndryshimin: Ku ishim dhe ku jemi?
Nuk e njihnim ne vetë Shqipërinë! Nuk na e mbante të shkonim në Theth a në Tropojë, në Tepelenë a në Vlorë. Por dalëngadalë, çdo gjë po merr vëmendjen dhe dritën e duhur, duke nxjerrë në sipërfaqe atë që kjo tokë dhe këta njerëz “fshehin” në thellësi.
Në Labëri, për shembull, fshihet një sekret shqiptar, kjo tokë e mistershme që nuk kuptohet në është bregdet a malësi, në janë toskë a janë gegë, në të vërtetë, aty jemi të gjithë bashkë.
Sekrete të tjera fshihen te kostumet tona popullore: Nuk ka mundësi që një popull i aftë të thurë xhubletën, të qëndisë dimiqtë, të stolisë fustanella e jelekët, e çdo veshje popullore nga Veriu në Jug, të mos ketë brenda gjithë bukuritë.
Nuk ka mundësi që një popull, që di të krijojë tingujt marramendës të polifonisë, harmoninë dehëse të zërave, të shpirtrave, të mos ketë brenda vetes gjithë bukuritë e botës. Shqipëria ka akoma më shumë, i ka të gjitha mrekullitë të qendisura në kode, figura, toteme, stoli. I nevojitej së pari pak qetësi, shumë punë dhe sidomos liri.
Nëse disa vazhdojnë të mendojnë se e gjitha sa ndodhi këtë verë ishte propagandë, rastësi, çmime të ulëta apo kushedi çfarë magjie, me siguri gabohen. Atyre u themi: Merrni pak kohë dhe qëndroni mbi qëndismat e nënave tona, merrni pak kohë dhe dëgjoni këngët e të parëve tanë. Aty do ta kuptojmë që ende nuk kemi dalë përpara botës me të gjithë shkëlqimin që shqiptari di të krijojë.
Urojmë, të jemi sa më shumë e ta kuptojmë, se si fillim, jemi në një rrugë të mirë, por për të arritur tek perfeksioni i qëndismave, apo vibracionet “jashtëtokësore” të polifonisë, kemi ende për të bërë në përmirësimin e vendit dhe të jetës tonë. Më të mirët kanë nisur që tani, të bëhen gati e të ofrojnë edhe më shumë, në sezonin e ardhshëm turistik.