Nga Rudina Xhunga
Një lajm i rëndë sot është arrestimi i Dritan Goxhaj. Ai është djali i Dilaver Goxhajt, ish-kolonel i cili ka shkuar vullnetarisht në UÇK, në luftën për çlirimin e Kosovës. Një prej të ftuarve më të dashur dhe më të pëlqyer të emisionit Shqip në Dritare TV dhe kjo duhet qartë nga mijëra shikime dhe komente për zotin Goxhaj. Të dy babë e bir shkuan në Kosovë për të ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Por ajo çfarë po ndodh sot është fakti që kjo luftë dhe drejtuesit e saj të cilët janë para Gjykatës Speciale, të cilën e kanë votuar vetë në Parlamentin e Kosovës, në pritje të dënimit, ka njerëz të tjerë që po shkojnë përpara gjykatës. Sot po shkon një qytetar i Republikës së Shqipërisë. Kjo ndodh sepse Shqipëria e njeh juridiksionin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Unë kam pasur një komunikim me zotin Goxhaj, babain e Dritanit i cili ende nuk e di se çfarë ka ndodhur. Ende nuk dihet akuza. Një prej akuzave që ka qarkulluar në media është se Dritan Goxhaj ka nxjerrë emra dëshmitarësh për Gjykatën. Menjëherë pasi mësova lajmin, kontrollova intervistat e tij dhe ai nuk flet me emra.
Dritani është një djalë moedest, nuk i pëlqente të mburrej. E vetmja arsye që e detyronte Dritanin të fliste ishte dalja e UÇK përpara gjyqit.
Përpara gjyqit sot nuk është Hashim Thaci apo të tjerë njerëz të cilët gjatë qeverisjes mund të kenë bërë dëme në Kosovë. Por janë njerëz që me qenien e tyre para gjyqit i bëjnë më shumë dëm UÇK -së, Kosovës shtet.
Shqipëria e ka mbështetur Kosovën nëpërmjet shqiptarëve. Dhe Dritani nuk është i fundit. Ai mund të jetë i pari i arrestuar në Shqipëri për luftën e UÇK. Ka jo pak shqiptarë që kanë bashkëpunuar me UÇK dhe unë ndjehem përgjegjëse që kam folur për ta.
Unë kam folur për ta në këto emisione duke besuar se është e padrejtë që këto njerëz që kanë shkuar vullnetarisht, ndihmuan UÇK, lanë jetën në luftë, nuk janë nderuar nga shteti shqiptar. Shteti shqiptar nuk e ka njohur atë luftë. Dhe ky është turp. Por unë sot ndjehem në faj që kam nxjerrë emrat e tyre, pasi ata sot janë të rrezikuar. Ata njerëz mund të merren çdo ditë nga Prokuroria Speciale. Dhe shteti shqiptar nuk i mbron.
Dhe të gjithë këto njerëz që e bënë luftën për idealizëm, kanë rrezikuar, nuk kanë përfituar asgjë, tani mund të përfundojnë në burgjet e Gjykatës Speciale të Kosovës. Ndaj duhem të flasim. Sot, para se të jetë vonë. Shteti shqiptar nuk mund të ketë dy standarde për mbrojtjen e Kushtetutës së tij. Dhe është në Kushtetutë të mbrojë Kosovën. Dhe është në nderin tonë të flasim sot.
Sepse momente të tilla na turpërojnë. Por unë si gazetare dëshmoj që Dritan Goxhaj, në Dritare TV, nuk ka folur me emra, përkundrazi, ka thënë gjithmonë duhet të tregohemi të kujdesshëm. Është në nderin e atyre që e duan Kosovën, që e duan shqiptarinë, që sot të flasin për Dritan Goxhajn.