Një 27-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë në një aksident tragjik të ndodhur në Itali, në Circonvallazione Oriani, një zonë në Verona, pasi humbi kontrollin e motorit tip Yamaha R6 me të cilin po udhëtonte.

Viktima është identifikuar si Redon Qevani. I riu teksa po drejtonte një motoçikletë “Yamaha R6”, për shkaqe që pritet të konstatohen nga grupi hetimor ka humbur kontrollin e mjetit, duke u përplasur me një pemë dhe ka humbur jetën në vendngjarje.

Në aksident nuk kishte mjete të tjera të përfshira dhe dinamika e përplasjes mbetet për t’u sqaruar: ndoshta shkaku i aksidentit mund të ketë qenë një moment shpërqendrimi nga motoçiklisti, një mosfunksionim i motoçikletës, shpejtësi shumë e lartë apo edhe një gabim i thjeshtë duke menaxhuar Yamaha-n e fuqishme, raporton Corriere.

Të gjithë elementët priten të shqyrtohen nga policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje së bashku me ambulancën të cilët nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për të shpëtuar jetën e të riut.

Të tjera media italiane shkruajnë se në vendin e aksidentit pas ngjarjes shkuan mbi 30 të afërm të viktimës. I trishtë është fakti se i riu do të bëhej së shpejti baba i një djali. Në vendin e ngjarjes ishte e pranishme edhe gruaja e viktimës.

Mediat shkruajnë se një prej të afërmve i ka vënë zjarrin motoçikletës pa bërë të ditur arsyen. Për këtë është dashur ndërhyrja e karabinierëve të tjerë për të menaxhuar situatën.