Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit “Standard & Poor’s” (S&P) ka rishikuar për lart perspektivën e saj për Shqipërinë nga “perspektivë e qëndrueshme”, tashmë në “perspektivë pozitive”. Në të njëjtën kohë, agjencia ka rikonfirmuar vlerësimin e vendit në “B+”.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete e cilësoi si lajm të mirë këtë rishikim si dhe konfirmimin e vlerësimit B+.

“Ky përmirësim i vlerësimit, pas gati 7 vjetësh, i shërben bankave dhe investitorëve, si dhe bizneseve brenda dhe jashtë vendit për të vlerësuar aftësinë kreditore të Shqipërisë, duke pasur kështu një ndikim në uljen e kostove të huamarrjes”, u shpreh Mete.

“Ai është një tregues i forcimit të qëndrueshmërisë së financave publike, menaxhimit të kujdesshëm fiskal dhe përpjekjeve pozitive në ndjekjen e reformave strukturore dhe integrimit evropian”, theksoi më tej ministri Mete.

Sipas tij, “ky përmirësim rrit pozicionin e Shqipërisë në tregjet financiare globale dhe hap mundësi të reja për investime dhe zhvillim ekonomik”.

“Ai shërben gjithashtu si një shenjë besimi nga komuniteti ndërkombëtar në stabilitetin ekonomik dhe potencialin e rritjes së ekonomisë shqiptare”, përfundoi ministri Mete.