Rikthehet në Tiranë edicioni i dytë i “Automotive Fair Albania”, eventi më i madh i pasionit automotiv, duke bërë bashkë prodhues e koleksionistë të industrisë se automobilizmit. Ky aktivitet do të zhvillohet nga datat 26-29 tetor në Pallatin e Kongreseve te “Sheshi Italia” dhe “Nënë Tereza”.

Gjatë ceremonisë hapëse, kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj tha se ky panair është një kartolinë shumë e bukur për Shqipërinë.

“Tirana është një qytet i mirë, ku ka vend për të gjithë: edhe për ata që advokojnë ditët pa makina, por edhe për ata që janë të dashuruar pas makinave. Ka vend edhe për korsi biçikletash, ka vend edhe për drifting. Ka vend edhe për shesh e pedonale, por ka vend edhe për sheshe si ky, që sot janë një super-kartolinë e automobilizmit shqiptar. Ljuis Hamilton thotë: unë nuk jam bërë që të jem i dyti, i treti, unë jam bërë që të jem i pari. Kështu që, ky qytet, ky komunitet, kjo bashki, kjo bashkësi, është bërë jo për vend të dytë, të tretë, por për të qenë të parët në rajonin tonë. Dhe me vjen mirë që kemi qenë të parët me rininë, të parët me sportin. Kemi bërë shumë ndryshime në këtë qytet, jam i bindur që është vetëm çështje kohe, si Ljuis Hamiltoni, të jemi të parët edhe në këtë industri të mrekullueshme”, u shpreh Veliaj.