Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka zbuluar detaje të tjera në lidhje me agresionin që ka ndodhur nga ana e grupit kriminal serbë më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ai tha se në vendin ku grupi terrorist sulmoi Policinë e Kosovës para dy javësh kishin gjetur dokumentin personal dhe makinën e Milorad Jevtiç, ku sipas Sveçlas, ai njihet si bashkëpunëtor i afërt i Danilo Vuçiç, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Sveçla tha se gjatë 5 vizitave të fundit të djalit të Vuçiç, ishte shfaqur në Kosovë me të njëjtën makinë që është gjetur.
Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe makinën e Milorad Jevtic gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. Terroristi Milorad Jevtiç njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuciç, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuciçit në Kosovë, 4 herë ata kanë qenë bashkë në të njejtën veturë”, shkroi Sveçla në Facebook.
Sveçla gjithashtu shtoi: “Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiçit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”.