Kryeministri Edi Rama ka vizituar të premten Thumanën, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i vitit 2019, sot një zonë e rilindur dhe jo vetëm, pasi është kthyer në qendrën e motorit të lëvizjes sportive në vend.

Për kryeministrin Rama, Thumana sot është një festë e sportit. “Thumana e Rilindur sot në një festë të sportit”, shkruan Kryeministri Rama në rrjetet sociale.

“Tani kush e mendonte se zemra e Thumanës së shkatërruar nga tërmeti, do të ringrihej duke u transformuar në një nga lagjet më të bukura të Shqipërisë, ku do të bëheshin edhe aktivitete të tilla, le të ngrejë dorën e ta thotë”, thekson Rama.

Më herët Kreu i Qeverisë ishte i pranishëm në konferencë “Sporti, motor zhvillimi”, ku theksoi se sot Thumana është kthyer në promotor të sportit, pas ndërtimit të një seri impiantesh sportive nga më të mirët në Shqipëri.