Fieri është një nga rajonet me potencialin më të lartë të zhvillimit të bujqësisë në vendin tonë dhe nxitja e modelit të bashkimit të operatorëve shihet si instrumenti i duhur në rritjen e shkallës, cilësisë, eksporteve dhe të ardhurave për familjete fermere dhe ekonominë e vendit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e shoqëruar nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, kryetari i Bashkisë Armand Subashi zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë Olta Manjani, deputet të zonës dhe përfaqësues nga institucionet e linjës, zhvilluan një takim me fermerët dhe sipërmarrës të bujqësisë në zonën e Fierit.
Denaj diskutoi me fermerët për ecurinë e punës në bujqësi, nevojat që kanë produktet për më shumë cilësinë, teksa vuri në dukje rëndësinë për të kaluar nga prodhimi në shkallë të vogël, në një shkallë të mesme në fillim dhe pastaj në një shkallë më të madhe.
“Do jap disa shifra për të kuptuar se sa potencial ka ende në këtë zonë. Flasim për gati 87 mijë ha sipërfaqe toke të punueshme, 21 mijë ha drufrutor, 1 100 ha serra dhe 84 mijë fermerë nga të cilët 30 mijë janë të pajisur me NIPT”, tha Denaj.
Ministrja shprehu angazhimin dhe mbështetjen, për të nxitur bashkimin e operatorëve në sektorin e bujqësisë, si faktor kyç në rritjen e ekonomisë së shkallës dhe mbështetjen e fermerëve përmes Skemës Kombëtare.
“Kemi nisur një projekt së bashku me kryetarin dhe pushteti vendor do të na ndihmojë për bashkimin e operatorëve, në një interes ekonomik të përbashkët që zhvillon shkallën dhe cilësisë. Ne do bëjmë detyrat tona, duke ju dhënë instrumentat e duhura, por duhet edhe përpjekja juaj që në këtë bashkim interesash, ju të bëheni bashkë, që të keni mundësi për më shumë sipërfaqe toke që prodhon të njëjtin produkt dhe me të njëjtën cilësi që kërkon tregu ndërkombëtar dhe të bëjmë certifikimet e duhura”, tha Denaj.
Ministrja u ndal në krijimin e fermave organike dhe rëndësinë e certifikimit të prodhimit bujqësor me Global Gap, që është një ‘pasaportë‘ për eksportet e produkteve “made in Albania”.
Global Gab, është një produkt certifikimi sipas standardeve ndërkombëtare. Global Gab në Shqipëri ndodh përditë, përvit dhe Skema Kombëtare mbështet kostot për certifikimin global GAP.
Denaj ftoi fermerët të bashkohen për të arritur kërkesën që kërkon certifikimi Global Gab, pasi në sipërfaqe të vogël nuk arrihen të realizohen dot të gjitha kërkesat.
“Në këtë qark ka 92 ferma organike. Kërkesa jonë së bashku me ju dhe me punën në vijim, është si ta çojmë që të gjithë përfitimin e skemës për produktet organike, ku tregjet ndërkombëtare sot sidomos Gjermania, Franca, Zvicra etj e kërkojnë, e ta kemi të plotë. Këto tregje kanë mundësi ta përthithin produktin organic të vendit tonë që ka kushtet klimatike, që favorizon një produkt të mirë,cilësor dhe të ketë vlerë, sepse një produkt organik shitet më shtrenjtë”, u shpreh ministrja.
“Është shumë e rëndësishme të dëgjojmë problematikat dhe të përfshijmë të gjithë institucionet e linjës për të bërë realitet, bashkimin e operatorëve si rrugën e duhur për të shkuar në tregjet ndërkombëtare, të gjithë bashkë e me të njëjtin interes”, theksoi ministrja Denaj.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë fjalës së tij, vuri theksin në hartimin e një strategjie të re për vaditjen e tokave bujqësore, që i vjen në mbështetje fermerëve dhe zhvillimit të sekorit.
Balla, duke marrë fjalën si deputet i zonës, tha se, “për të gjithë qarkun e Fierit nga Lushnja, Divjaka e deri tek Rroskoveci, Patosi dhe Mallakastra , gjëja kryesore që duhet të mendoj MBZHR, jo për sot por për atë që themi Shqipëria 2030, na duhet një strategji e re për vaditjen”.
“Ne mund të bëjmë shumë gjëra por pa ujin nuk bëjmë dot asgjë. Shqetësimi im gjatë vitit të kaluar që pati temperatura shumë të larta, ishte se në shumë zona nuk morën prodhimin që duhej të merrnin sepse, nuk arritëm që t’i japim ujë në vaditje që kishte nevojë toka”, tha Balla.
Balla vuri theksin në agazhimin e qeverisë për të mbështetur të gjithë fermerër aplikantë në skemën e naftës pa taksa për bujqësinë.
“Ne kemi patur në Fier aplikime në skemën kombëtare vetëm për skemën e naftës plotë 18 mjë 836 fermerë aplikantë dhe nga vlerësimi rezulton se janë 16 mijë 945 aplikime që përmbushnin kriteret dhe çfarë ishte parashikuar me buxhetin e vitit 2023 , u arrit të jepej nafta për 10 mijë e 800 përfitues. Por u arrit që ne të bënin një Akt Normativ, i cili edhe pse me tym dhe me ata që hedhin karriget, se populli të sheh dhe kur sheh që ata nuk e duan karrigen që u ka besuar populli, mos e jep më, dhe me gjithë kushtet e vështira të Shqipërisë , Akti Normative ka hyr në fuqi dhe lajmi i mirë është që edhe 6 mijë 142 fermerë të tjerë, do të marrin dhe ata naftën pa taksa”, u shpreh Balla.
Balla tha se, edhe për vitin e ardhshëm jo vetëm që do ta ruajmë këtë rezultat por dhe do ta shtojmë mbështetjen për fermerët dhe bujqësinë.
Ndërsa zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë Olta Manjani, u ndal në rëndësinë e arsimit profesional si rruga e duhur për punësimin e të rinjve.
Ajo i bëri thirrje prindërve që të ndikojnë tek fëmijët për të ndjekur shkollat profesionale. “Arsimi profesional bujqësor është me rëndësi të madhe pasi na duhen agronom, veteriner. Asnjëherë nuk është i vështirë punësimi për të rinjtë që përfundojnë studimet në arsimin e mesëm professional, veçanërisht në sektorin bujqësor”, tha Manjani.