Sot shënohet dita botërore e Ullirit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u takua në Vlorë me fermerë e sipërmarrës që merren me kultivimin e ullirit.

Denaj vuri në dukje se ullinjtë mijëravjeçarë në vendin tonë, tradita e përpunimit e përmirësuar ndër breza dhe praktikat moderne bujqësore, sjellin një produkt me cilësi të lartë, që konkurron denjësisht në tregjet elitare të eksportit, duke rritur ekonominë për fermerët shqiptarë.

“Në Vlorë, gjatë takimeve me fermerët e sipërmarrësit e ullirit, folëm për këtë pasuri të çmuar të tokës sonë dhe i sigurova se ekipi i Ministrisë së Bujqësisë do të jetë gjithmonë pranë tyre për të mbështetur nevojat e sektorit”, bëri të ditur Denaj.

Sipas saj, cilësia e mirë e vajit të ullirit “Made in Albania” ka sjellë rritjen e eksporteve të këtij produkti në 5,830 tonë, me 43 herë më shumë në sasi dhe 33 herë më shumë në vlerë gjatë 10 mujorit 2023, krahasuar me një vit më parë.