SPAK e akuzon ish nëndrejtorin e policisë së Tiranës Erzen Breçani për 2 akuza ‘pastrim parash’ dhe për përkrahje të autorëve të krimit.

Akuza e pastrimit të parave është ngritur pasi dyshohet se 350 mijë euro të ardhura nga trafiku drogës janë investuar në HEC-in Drita.

Koncesioni me afat 35 vite për ndërtimin e HEC Drita është dhënë më 12 korrik 2019 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Breçani komunikon me të birin, i cili akuzohet për trafik droge, me aplikacionin SkyECC.

Në një bisedë të datës 18 gusht 2020 Erzeni i tregon që ka patur një bisedë me Ervin Matën dhe ky i fundit i ka ofruar 500 mijë euro borxh për ta ndihmuar për ndërtimin e një HEC-i, por Erzeni ka refuzuar.

Gati një muaj më pas, në bisedën e 20 shtatorit 2020 Ora 20:05 Breçani komunikon me Eralbin (në sky I identifikuar me kodin S7DEGI) kuptohet që Eralbi ka premtuar një sasi parash të cilat ende nuk i ka marrë Breçani dhe si zgjidhje pyet Eralbin nëse duhet ti thotë Fatbardhit për të marrë një kredi, ku paratë dyshohet se nevojiten për ndërtimin e hidrocentralit.

Ai i shpreh edhe shqetësimin që platforma Sky ECC mund të përgjohet dhe tregon që ka patur dikë që e informonte po nuk i ka ardhur në takim dhe madje në një moment i kërkon të bëjë dhe kujdes pasi po përgjohet.

Tre ditë më pas në bisedën e 23 shtatorit 2020 në orën 19:57:28, Erzen Breçani (në sky i identifikuar me kodin K9B9EP) komunikon me Eralbin dhe e pyet nëse i ka bërë llogarit, ku lë të kuptohet që Eralbi do mbyllte llogari me dikë tjetër për të cilin Erzeni ka dijeni.

Erzeni i tregon se nevojiten 300 mijë Euro për këstin e turbinave, të cilat dyshohen se nevojiten për hidrocentralin, dhe këto para është me shpresë që do i gjejë Eralbi, pasi në një moment dërgon tekstin:

“Ishalla po i ban 300…o ishalla delni me sukses e mbyllni ket pun o zot e rrin i ëet ma se boll…nuk po më interesojn aq o bir po thuj atij te na bajn qet 300 kto dy tre dit…mir asht me i ba pa luanin e ervinin… “.

Vetë Erzeni i kërkon të birit ti gjej vetë paratë pa ia kërkuar këto kunatit, Ervin Matës, apo të atit të Ervinit, Luanit, i cili është dhe vjehrri i Eralbit. Eralbi është martuar me motrën e Ervin Matës.

Shtetasi Erzen Breçani dërgon mesazhet: “…. Ca bat si nuk ktheve pergjigje…A bat llogarit…Po si dulet…A kini noj kg pa e marue…Po kur a ka i ban cka tha…Ta dim se jam met pa pague sen…E kem me pague kestin e turbinave e tubat qe bajn te dyja rreth 300 mij euro…Ishalla po i bæn 300…O ishalla delni me sukses e mbyllni ket pun o zot e rrin i ëet ma se boll…Nuk po me interesojn aq o bir po thuj atij te na bajn qet 300 kto dy tre dit…Ban cka te duesh si ta mendosh ma mir…Mir asht me i ba pa luanin e ervinin…Cfar jan ky biznes…Po lekt tua kur ti japin apo i ka harrue…Biles per ket hall qe na ra ishte dasht me ti dhan… Po jan piramid krejt… Kurzr me miq mos punon mos ban biznes se nuk ec… Qysh e pat emnin qajy qe ta ka dhene kete placke n…Se nuk e majta men…A ka pas dijeni ky qe eshte mrena oer gjsnat e tuja qe i ke pas me ate shokun tend… Se po e pyet kush dhe zberthehet kollaj se ai flet dhum ky elio…” thuhet në dosje.

Koncesioni me afat 35 vite për ndërtimin e HEC Drita është dhënë më 12 korrik 2019 me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit ndërsa në vitin 2022 shoqërisë me administrator vëllain e Erzenit Ftabardh Breçani, i është pezulluar aktiviteti.

“Dyshohet se ka marrë para nga Eralbi Breçani të një sasie prej 350 mijë euro, me dashje dhe në dijeni të plotë që burojnë nga aktiviteti i jashtëligjshëm i trafikimit të narkotikëve dhe i ka injektuar në biznes duke ju shmagur raportimit në institucionet përkatës, element i rëndësishëm i veprës penale “… fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale….” shkruhet në faqen 89 të vendimit të GJKKO-së të datës 17 nëntor 2023.

Po kështu Breçani akuzohet për ‘përkrahje të autorëve të krimit’ pasi i ka dhënë informacion Bujar Ajetit dhe Nuredin Dumanit që t’I shmangeshin arrestit. Me Bujar Ajetin I njohur si I forti i Kukësit dikur Erzen Breçani ka qenë me të në forcat RENEA, ndërsa Nuredin Dumanin duket që e ka njohur përmes Bujarit.

Më 23 nëntor GJKKO dha masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Erzen Breçanin, Dedan Gjonin dhe Bujar Gërmizi, si dhe Besmir Murati, i lidhur ngushtë me Gërmizin.