Shefi i organizimit në PD-në e Rithemelimit, Klevis Balliu, thotë se asnjë eksponent i lartë i PS-së, nuk përballet dot në debat me opozitën. Balliu renditi një sërë emrash nga PS-ja, që janë akuzuar për korrupsion, favorizim të familjarëve e akuza të tjera.

“Përballë opozitës, eksponentë e lartë të PS-së, nuk ekzistojnë po nxjerrin disa analistë të pavarur të qeverisë. Çfarë do të thotë Olta Xhaçka në një debat, si mund ta justifikojë Olta Xhaçka që e bëri burrin investitor strategjik.

Si të dalë në një debat, Ermonela Felaj, me një opozitar dhe t’i shpjegojë atij për drejtësinë, ndërkohë që gjysma e prokurorisë së Tiranës, ka mbiemrin e vet.
Si të dalë ‘madamë dogana’, Elisa Spiropali përballë një opozitari dhe të flasë për luftën kundër korrupsionit.

Si mund të dalë Lindita Nikolla të flasë për demokracinë, parlamentarizmin, ndërkohë që ajo e ka shkatërruar parlamentin. Pra këta nuk kanë si të dalin përballë opozitarëve dhe në vend të tyre, tentojnë të futin disa analistë të pavarur të qeverisë”, tha shef Klevis Balliu.