Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” vijon të mbetet porta hyrëse kryesore e vizitorëve që zgjedhin Shqipërinë. Pasi sipas Autoritetit të Aviacionit Civil prej Janarit e deri në javën e parë të Dhjetorit janë regjistruar mbi 6 milionë e 730 mijë pasagjerë në këtë aeroport.
Më konkretisht më 1 Nëntor u regjistruan 6 milionë pasagjerë në aeroportin e Rinasit, ndërsa pjesa tjetër mbi 730 mijë pasagjerë u përpunuan deri në javën e parë të këtij muaji.
Fluksin e madh të pasagjerëve që janë regjistruar këtë vit në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit e tregojnë edhe statistikat më të fundit nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve në Europë “ACI”.
Ky autoritet ndërkombëtar nënvizon se Aeroporti i Rinasit kryeson me një rritje të dukshme prej 134% të trafikut të pasagjerëve në Tetor të 2023 krahasuar me vitin 2019.
Siç vihet re ky institucion ndërkombëtar e rendit Aeroportin “Nënë Tereza” në 5 aeroportet që raportuan rritjen më të lartë të trafikut të pasagjerëve krahasuar me Tetorin e 2019, periudhën para pandemisë kur nuk kishte kufizime sa i përket fluturimeve.
Ndër të tjera në raport thuhet se performancat më të mira erdhën nga aeroportet në tregjet në zhvillim të aviacionit dhe nga stimulimi i operatorëve të transportit ajror me kosto të ulët ku bën pjesë tashmë edhe Shqipëria.
Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Europë ky vrull i vazhdueshëm i trafikut ajror ka nxjerrë në pah aeroportet të cilët po fuqizohen gjithnjë e më shumë sa i përket fluksit të pasagjerëve, siç është edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.
Pas bumit turistik veror Shqiperia vijon të ketë vizitorë të shumtë edhe në periudhën e vjeshtës dhe dimrit, pasi në shifrat e fundit zyrtare deri në fund të Nëntorit vendi ynë ka regjistruar 9.53 milionë turistë.