Nga Ermal Peçi

Në fakt që kur Tritan Shehu foli në mbledhjen e përbashkët të grupit, Bardhi me grupin e Berishës për të qënit spiunë, dukej që nuk ishte memdimi i tij. U përdor zëri i Tritanit, por mendimi ishte nga “Rruga e Shpresës” për të goditur grupin e Bardhit dhe për t’i identifikuar si njerëz që luajnë me shumë porta.

Ajo që pritej duket se po plas mes grupit të Bardhit dhe atij të Berishës, jo vetëm se ky bashkim ishte pa parime, pa moral dhe pa një vizion opozitar, por ishte vetëm për lëvizje pragmatiste të disa individëve, të cilët më shumë se hallin për të luftuar Ramën kishin hallin a do të ishin deputet vetë në listat e 2025. Prej kohësh kam shkruar se bashkimet mekanike sjellin vetëm epokën e errësirrës për të djathtën shqiptare dhe koha po më jep të drejtë.

Ky bashkim mekanik jo vetëm që nuk prodhoi një frymë opozitare, por në fakt këto grupime po degradojnë të bëhen gaz i botës. Mos rakordanca midis fjalëve edhe veprimeve ka sjellë një kaos, ku tashmë deputetët e shikojnë veten si armiq dhe jo si bashkëpunëtorë. Një kaos, i cili shoqërohet edhe në verbin e tyre politik që kur janë brenda Shqipërisë janë me Berishën, por sa dalin jashtë kufinjve përqafojnë me vrap ndërkombëtarët për të bërë një foto. Foto dhe veprime, të cilat po ju tregojnë fytyrën e vërtetë dhe fibrin politik që kanë këta deputetë. Një foto e publikuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë rrëzon propagandën e luftës së Bardhit dhe grupit të tij me Edi Ramën. Bardhi dhe Çupi të dy të buzëqeshur pranë deputetëve socialistë, Damian Gjiknurit dhe të tjerë. Këtë foto nuk do ta kisha trajtuar kurrë sikur mos të më kujtoheshin ulërimat e Bardhit para Merita Bakiut dhe Flutura Açkës.

Sesi Bardhi çirrej para dy zonjave dhe i akuzonte për bashkëpunëtore të Ramës dhe grupeve kriminale. Pra kjo është fabula morale që qytetarët duhet të shikojnë sot, me zonjat demokrate Bardhi trimërohet dhe ulëret kurse me burrat socialistë buzëqesh. Kjo është ajo që duhet të shikojë çdo demokrat e qytetar mbi teatrin që Bardhi me grupin e tij po luajnë sepse ditën ata janë me Berishën dhe natën me Amerikanët. Këtë ka kuptuar Doktori, i cili foli me zërin e Tritanit për spiunë sepse në 33 vite, ai spiunët i përdori, por kurrë nuk i la të dalin sipër tij.