Nga Bjorn Runa/

Çdo vit, me nisjen e sezoneve të reja të programve ‘Reality,’ në fakt shfaqen paralelisht dy spektakle të këtij lloji: i pari, ai që prezantohet rregullisht çdo javë dhe i dyti, ai i kritikës së këtyre programeve. Të dy përfshijnë persona realë në situata, të paktën në dukje, të vërteta. Por, mes tyre ka një të përbashkët edhe më domethënëse. Ndërsa servirësit e programeve ‘Reality’ kanë çdo arsye të na inkurajojnë të ushqyerit në kazanin e ideologjisë së konsumerizmit të shfrenuar, duket se kritikët i shqetëson vetëm “morali,” çfarëdo kuptimi të ngushtë që i jepet këtij koncepti. Për të dy palët, shikuesit dhe shoqëria në përgjithësi, s’janë tjetër veçse një masë idiotësh të pavetëdijshëm që duhen ushqyer ose me ideologjinë e konsumerizmit, ose me një lloj edukimi gati-gati të dhunshëm vlerash morale. E gjitha ngjan më tepër me një lloj beteje kulturore se cila palë do t’i imponojë vlerat e saj pjesës tjetër të shoqërisë.

Përtej ‘vuajerizmit:’ Tundimi për të gjykuar të tjerët

Suksesi i programeve ‘Reality’ në tërheqjen e vëmendjes së një numri të madh shikuesish i atribuohet në mënyrë të gabuar ‘vuajerizmit,’ marrjes së një kënaqësie perverse nga të parit e të tjerëve.

Së pari, ‘vuajeristët’ ndiejnë kënaqësi kur “viktimat” e tyre janë të pavetëdijshme se po shihen. Është gjithmonë fjala për një lojë pushteti. Ti që sheh, ke pushtet mbi atë që vijon rutinën e tij, pa e ditur se po shihet. Në rastin e programeve ‘Reality,’ kjo bie poshtë sepse personazhet janë qysh në fillim të vetëdijshëm se po shihen. Madje, mund të thuhet se kjo është arsyeja e pjesëmarrjes së tyre në program dhe kënaqësia e të shndërruarit të vetes në personazh.

Së dyti, ne përjetojmë një lloj identifikimi me pjesëmarrësit në këto programe e, mbi të gjitha, ndiejmë simpati për situatat në të cilat vendosen. Si do të reagonim ne, po të gjendeshim në rrethana të ngjashme? Si kam reaguar kur kam qenë në të njëjtën situatë?

Por, më e rëndësishmja, është se programe të tilla i japin shikuesve mundësinë të gjykojnë tjetrin. Në fakt, kapaciteti për të gjykuar është ndoshta e vetmja e “vërtetë” e këtyre programeve. Ankthi i përditshmërisë, monotonia dhe zbrazëtia me të cilën përballemi në pjesën më të madhe të jetës, kërkojnë një qetësues të fortë. Diçka që të na garantojë se pavarësisht gjithçkaje, në mbrëmje mund t’i shtriqim këmbët mbi tavolinën e mesit, të vetëkënaqur që nuk jemi aq “rëndë” sa njerëzit që shohim të grinden në TV. Ah, sikur jeta të ishte aq e thjeshtë sa një përmbledhje ditore, me momentet më interesante të edituara me kujdes dhe të renditura në të atillë mënyrë, që nuk lë vend për ankth e mëdyshje. Për më tepër, kur është hera e fundit që drejtuesit, opinionistët, apo edhe pjesëmarrësit e këtyre programeve kanë pranuar se nuk e dinë diçka? Kur është hera e fundit që kanë refuzuar të japin këshilla sepse mund të mos jenë ndodhur në situatën për të cilën po pyeten? Përkundrazi, ata duken të gjithë të etur për të ofruar këshilla dhe zgjidhje të gatshme për gjithçka.

Ndaj, ‘vuajerizmi’ nuk është termi i duhur për të përshkruar kënaqësinë që ne marrim nga ndjkeja e programeve ‘Reality.’ Është mundësia për të gjykuar të tjerët ajo që në fakt shijojmë. Mundësia për t’i gjykuar të tjerët në mënyrë sipërfaqësore, përmes situatave të ndërtuara me të atillë kujdes, që të na duhet të mendojmë sa më pak. Pavarësisht marrëdhënieve dhe konflikteve sado dramatike që ndërtohen në anën tjetër të ekranit, në fund gjithçka zgjidhet. Ka gjithmonë një përgjigje. Ti vetëm nuk duhet të mendosh.

Realitet i Strukturuar

Në nisje të thuajse çdo programi ‘Reality,’ prezantuesit nuk lodhen asnjëherë së përsërituri se ai [programi] ofron një copëz realiteti të pafiltruar. Ndryshe nga filmi, letërsia apo teatri, këtu pjesëmarrësit janë njerëz të vërtetë në situata të vërteta. Megjithatë, nën sipërfaqen e situatave në dukje spontane shtrihet një rrjet i tërë teknikash produksioni që formësojnë dhe shtrembërojnë narrativat sipas oreksit të audiencës për dramë dhe argëtim.

Ndonëse të promovuara si spektakle argëtuese pa skenar, këto programe janë të stisura thuajse në çdo fazë të tyre. Procesi përfshin përzgjedhjen e kujdesshme të pjesëmarrësve, planifikim strategjik dhe mbi të gjitha, editim të përkushtuar për të ndërtuar narrativa sa më tërheqëse. Me pak përjashtime, pjesa më e madhe e programeve ‘Reality’ regjistrohen dhe gjatë xhirimit situatat përsëriten disa herë për të arritur emocionin e duhur. ‘Big Brother’ është nga të pakëtit programe që ofron një dritare 24-orëshë në jetët e pjesëmarrësve por, në shumë vende produksioni ka hequr dorë edhe nga kjo, duke u kufizuar vetëm tek spektakli javor i eleminimeve.

Për më tepër, ‘Reality TV’ paraqet një version të idealizuar të jetës, ku konfliktet zgjidhen lehtësisht brenda një kornize kohore 30-minutëshe, ose brenda një episodi një-orësh. Sfidat që hasen dhe marrëdhëniet e ndërtuara nga pjesëmarrësit thjeshtohen për t’iu përshtatur kornizave të narrativës që i duhet shtyrë publikut, larg ndërlikimit, rrëmujës dhe mediokritetit të jetës së përditshme. Jeta në fakt përbëhet nga një përzierje eksperiencash të rëndësishme dhe të rëndomta, të cilat kontribuojnë në pasurinë dhe kompleksitetin e përvojës njerëzore.

Kemi të bëjmë kështu me realitet të strukturuar. Jo vetëm që kalohet në procese të gjata përzgjedhjeje të konkurrentëve dhe ndërtimit së situatave në të cilat ata do të vendosen, por kalohet në një proces edhe më të kujdesshëm editimi (montimi). Edhe nëse nuk kemi të bëjmë paraprakisht me skenarë të mirëfilltë, ekziston gjithmonë arti i editimit selektiv. Orë të tëra materialesh kalohen në sitë për të zgjedhur momente specifike, të cilat do të shërbejnë për të ndërtuar narrativa koherente dhe shpesh sensacionale. Përmes editimit, producentët manipulojnë kohën, ri-rendisin sekuencat e madje fabrikojnë kontekstet e ngjarjeve për të krijuar tension.Çfarë mund të ketë qenë një bisedë e zakonshme ose një moment i rëndomtë, transformohet në një moment kulminant që formëson të gjithë narrativën.

Në thelb, ‘Reality TV’ është diçka e përllogaritur me kujdes, mjaft larg idesë se kemi të bëjmë me një dritare në jetët reale të disa bashkëqytetarëve. Ajo çfarë i paraqitet shikuesit është në fakt një version i kuruar i ngjarjeve dhe i manipuluar me mjaft talent për të shfaqur narrativa që përputhen me pritshmëritë e audiencës për argëtim. Mendon ndokush vërtet që operacione të tilla fitimprurëse do t’i liheshin në dorë spontanitetit?

Shitja e Iluzioneve: Ekuilibri midis ‘Reality TV’ dhe Reklamave

Shpesh kemi bindjen e gabuar që ne, shikuesit, jemi klientët e programeve të ofruara nga industria televezive e argëtimit. Të shtrënguar në disa raste nga kritikat, prodhuesit e këtyre programeve sjellin si argument se kjo është ajo çfarë kërkon publiku. Thënë më thjesht, jetojmë në një shoqëri të lirë ku tregu, klienti, kërkesa, vendosin se çfarë duan, kurse prodhuesi apo shitësi është i detyruar t’ua ofrojë.

Nga ana tjetër, një pjesë e mirë kritikëve pretendojnë se media, përfshi edhe programet argëtuese, duhet të luajnë një rol më edukativ dhe të mos përqendrohen vetëm tek fitimi. Kjo është kritika më jo-kapitaliste, edhe pse në shumicën e rasteve vjen nga një pjesë e shoqërisë që ka një adhurim gati-gati fetar për mitin e ekonomisë së tregut. Është e vërtetë që ne, si shikues, jemi pjesë e ekuacionit të tregut por, harrojmë se në shumicën e rasteve ne nuk i paguajmë televizionet për të ndjekur programet e tyre, qoftë informuese apo argëtuese. Ne nuk jemi as blerës e as ofrues, por produkti që shitet. Vëmendja jonë iu shitet sponsorëve, të cilët më pas, përmes reklamave do të na shesin produktet dhe shërbimet e tyre. Për këtë, fillimisht vëmendja duhet tërhequr e më pas përpunuar, për të fabrikuar dëshirat e konsumatorëve. Është një lloj rrethi vicioz ku media trajnon shikuesit, të cilët trajnojnë median, e cila na trajnon ne për të kërkuar thuajse gjithmonë të njëjtat gjëra.

Një nga strategjitë kyçe të reklamuesve është shfrytëzimi i iluzionit të realitetit që vizatojnë programet ‘Reality.’ Shikuesit tërhiqen nga ideja se janë duke parë përvoja njerëzore të sinqerta e të pafiltruara. Nga ana tjetër, reklamuesit vendosin në mënyrë strategjike produktet në këto narrativa, duke e asociuar atë që shesin me eksperiencat në dukje të vërteta që shfaqen në ekran. Ky lloj integrimi i të dyjave mjegullon vijën ndarëse mes argëtimit dhe reklamave, duke e bërë produktin e promovuar të duket si pjesë e natyrshme e spektaklit.

A ka një rrugëdalje?

Në përpjekje për të na ofruar rrugëdalje, një pjesë e kritikëve kulturorë apo kritikëve mediatikë, kërkojnë ose ndërhyrje rregulluese nga institucionet kulturore shtetërore, ose pretendojnë në mënyrë deri diku absurde për një lloj vetë-ndriçimi moral të prodhuesve të këtyre programeve. Por, në një shoqëri të lirë, ndërhyrja e institucioneve shtetërore, aq më tepër në media, mund të perceptohet si censurë. Ekziston gjithashtu rreziku që kjo “censurë” të shtrihet më pas në fusha të tjera të kulturës dhe argëtimit. Diskutimi moral është gjithashtu absurd, pasi vlerat morale të një grupi njerëzish nuk mund t’i imponohen pjesës tjetër të shoqërisë. Aq më tepër, kur morali për të cilin diskutohet, shpesh është një koncept i ngushtë që, jo vetëm nuk e zgjidh problemin, por rrezikon ta përshkallëzojë atë në drejtime që ndoshta as nuk i kemi imagjinuar.

Megjithatë, ekziston edhe një zgjidhje më e qëndrueshme, siç është ajo e ofruar nga teoricieni i medias dhe filozofi kanadez, Marshall McLuhan me “ndihmën” e Edgar Allan Poe. Është fjala për metaforën e vorbullës, e përftuar nga tregimi ‘A Descent into the Maelstrom’ i Poe-s, ku përshkruhen përpjekjet përpjekjet e tre peshkatarëve për t’i shpëtuar vorbullës që rrezikon t’iu marrë jetën në det: “Në fillim, ai pa vetëm tmerrin e spektaklit të vorbullës. Më pas, në një moment zbulimi, kuptoi se vorbulla ishte diçka e bukur dhe mahnitëse. Duke vëshguar se si objektet tërhiqeshin drejt qendrës së saj, ai vuri re se ‘sa më të mëdha objektet, aq më shpejt binin brenda saj.’”

Për McLuhan, masmedia ishte një vorbullë e fuqishme që e tërheq shoqërinë drejt sjelljeve të reja, që rrezikojnë ta trullosin apo edhe shkatërrojnë atë përfundimisht. Ndaj, ai sugjeron studimin e formave dhe efekteve të kësaj vorbulle në shoqëri, si strategji shpëtimi dhe mbijetese. Ndoshta, rrugëdalja nuk është protesta dhe zemërimi por, shndërrimi ynë nga shikues të spektaklit mediatik, në shikues të anagazhuar të marrëdhënies tonë me median dhe industrinë e argëtimit.