Gazetari Artan Hoxha ka folur për hetimin e kryer nga Prokuroria e Tiranës, që akuzon gjyqtaren Arnisa Këlliçi për kallëzim të rremë, pasi denoncoi se kishte marrë kërcënime.
Sipas Hoxhës, hetimi nuk duhej të bëhej nga Prokuroria e Tiranës, pasi kjo e fundit bie në konflikt interesi me çështjen. I ftuar në “Top Talk”, Hoxha tregoi se që në fillim, Këlliçi ishte shprehur se hetimi po bëhej në mënyrë tendencioze.
“Është një çështje që të bën të ndihesh keq. Pati një kallëzim në fillim nga kancelari i gjykatës dhe më pas nga gjyqtarja. U morën masa, gjyqtarja dhe familja u vunë në mbrojtje. Gjyqtarja kërkoi që hetimi të mos bëhej nga Prokuroria e Tiranës. Sot shkoi në Durrës. Gjyqtarja pretendonte se hetimi që në fillim ishte tendencioz, që nga mënyra si u mor në pyetje. Hetimin s’mund ta bëjë Tirana sepse ka konflikt interesi”, tha Hoxha.
Sipas gazetarit, gjyqtarja ka marrë edhe telefonata kërcënuese, të cilat janë regjistruar.
“Kallëzimi nuk është bërë vetëm për letrën, është bërë për shkak të kallëzimet të bëra me telefon. Dhe telefonatat janë të regjistruara. Në fillim, u tha që nuk dihet si ka hyrë letra brenda. Ndërkohë, sot Prokuroria thotë se e ka shkruar gjyqtarja, si e hetuan. Si e zbuluan. Çfarë u bë me telefonatat. Prandaj me hetimin duhet të merrej një organ jashtë kryeqytetit”, u shpreh ai.
Ndërkohë, pak më herët, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pezullimin nga detyra të gjyqtares Arnisa Këlliçi, e cila është marrë e pandehur nga Prokuroria e Tiranës nën akuzën për kallëzim të rremë. Sipas prokurorisë letra kërcënuese është shkruar nga vetë gjyqtarja Këlliçi, rezultat i ardhur pas hetimeve paraprake dhe shqyrtimit të gjithë të dhënave.