Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se duhet të dialogohet mënyra e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme.
Hovenier i ka bërë këto deklarata gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Ai ka thënë se dialogu mund të mos jetë vendi më i përshtatshëm për të diskutuar çështjet e brendshme të Kosovës, por që tema e dinarit duhet të negociohet, pasi Kosova ka dhënë zotim për t’i mbrojtur komunitetet pakicë.
Hovenier ka insistuar që Shtetet e Bashkuara nuk janë duke e sfiduar përgjegjësinë dhe autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe as nuk po e mbrojnë dinarin, por janë të shqetësuara për mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së.
“Ka ndikim të drejtpërdrejtë te individët që janë më të cenueshëm”, ka thënë Hovenier duke e marrë shembullin e ndonjë të moshuari 70-vjeçar që është mësuar që të shkojë në një zyrë për të marrë pensionin.
Mes tjerash, Hovenier ka thënë se Serbia nuk duhet të ketë veto për mënyrën e ofrimit të ndihmës, por duhet të diskutohet kjo çështje.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) – e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti – e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme në Kosovë.
Kjo rregullore i ka prekur komunat me shumicë serbe në Kosovë, pasi në to përdoret edhe dinari serb.
Shteti i Serbisë deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmat shtesë.