Emisioni “Fiks Fare” solli rastin e 5 nxënësve të klasës së 8 në shkollën “9-vjeçare” të Maqellarës në Peshkopi të cilët u vlerësuan me notën 4 në lëndën e “Historisë” nga mësuesi i lëndës në fund të vitit akademik edhe në sezonin e vjeshtës, por që i kaloi drejtori.
Mësuesi Shaban Elezi, i cili prej 21-vitesh jep lëndën e historisë në atë shkollë tregon se nuk i kishte ndodhur kurrë më parë që nxënësit që ai kishte ngelur t’i kalonte drejtori. “Mua më ka rënë reputacioni në klasë, fëmijëve u bëra test bashkë me një kolege tjetër dhe u vlerësuan me 4, tani i kalon drejtori, ata thonë le të na ngelë mësuesi na kalon drejtori”, thotë Elezi.
Gazetarët e Fiksi kërkojnë një përgjigje te drejtori i shkollës, Bilbil Lazri, i cili tregon se kjo situatë ka ndodhur në shkollën e tij, dhe për të ai kishte të gjitha dokumentet që do ua dërgonte edhe gazetarëve, gjë e cila nuk ndodhi.
Në një intervistë për Fiksin drejtori bie në kontraditë disa herë me ato që thotë. “Testi ishte i vështirë ndaj nxënësit nuk kaluan” thotë si fillim drejtori, më vonë ai thotë se “Testi ishte shkruar me dorë” dhe për të fundit herë thotë se “Ne nuk e kemi parë testin”. Pra drejtori i shkollës duke shkelur dispozitat normative ka anashkaluar mësuesin e lëndës dhe ka vlerësuar nxënësit në atë lëndë me notë kaluese.
Në dispozitën normative të vitit 2013, ligj të cilit i referohet edhe drejtori, në kreun nr.5, neni 21 përcaktohet qartë se nxënësi vlerësohet vetëm nga mësuesi i lëndës. Kështu një drejtor shkolle bashkë me komisionin e etikës së shkollës morën kompetenca jashtë ligjit, duke i hequr të drejtën mësuesit të lëndës për të vlerësuar nxënësit dhe duke e marrë ata këtë kompetencë.