Kryeministri Edi Rama ndodhet ditën e sotme në një vizitë në Turqi. Rama dhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan do të kryesojnë takimin e parë të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik Turqi-Shqipëri që u krijua më 6 janar 2021.
Pas ceremonisë së mikpritjes që u mbajt në Presidencën e Republikës së Turqisë, Kryeministri Rama dhe Presidenti turk Erdogan do të zhvillojnë një takim bilateral mes tyre.
Më pas do të drejtojnë Mbledhjen e Bashkëpunimit të Nivelit të lartë midis dy vendeve, me pjesëmarrjen edhe të disa prej ministrave të kabineteve qeveritare respektive.
Në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë do të nënshkruhen në vijim disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi dypalëshe në fushën e mjedisit, mbrojtjes, të medias dhe komunikimit, etj. Në përfundim të vizitës, Rama dhe Erdogan do të komunikojnë për median deklaratën e përbashkët për shtyp.