Pas marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët, një tjetër dakordësi pritet të arrihet mes Shqipërisë dhe Italisë. Bëhet fjalë për një marrëveshje që të burgosurit shqiptarë në Itali të mund të vuajnë dënimin në vendin e tyre në këmbim të formimit profesional.

Lajmi është bërë i ditur nga media italiane sky.it dhe huffingtonpost.it të cilat shkruajnë se “kjo është hipoteza mbi të cilën po punohet, sipas asaj që raporton kreu i Departamentit të Administrimit të Burgjeve, Giovanni Russo në një seancë dëgjimore në Komisionin e Drejtësisë”.

“Me një kosto prej 34 euro në ditë për çdo të burgosur shqiptar në burgjet e saj, Mbretëria e Bashkuar ka lidhur një marrëveshje me Shqipërinë për të vuajtur dënimin në vendin e tyre. Na ra në mendje – shpjegoi Russo – të përsërisim të njëjtën marrëveshje me disa modifikime: jo për të dërguar para në Shqipëri, por për të ofruar shërbime të tipit penitenciar”.

“Kjo që fillimisht mund të duket si një shkëmbim mund të hapë idenë e shtigjeve ad hoc të profesionalizimit për të burgosurit, të cilët kanë interes të qëndrojnë në vendin e tyre sepse kanë aftësi të reja profesionale, si të burgosurit që burgu italian ka trajnuar. ”, shtoi Russo.