Kryeministri Albin Kurti kërkoi që Kosova të trajtohet njësoj sikurse vendet e tjera evropiane që u kërcënuan pas agresionit rus në Ukrainë, pasi sipas tij, Serbia kërcënon vazhdimisht Kosovën. Duke përmendur shembujt e Suedisë dhe Finlandës që u anëtarësuan në NATO dhe atë të Ukrainës, Gjoergjisë e Moldavisë që morën statusin e vendit kandidat, Kurti mendon se e njëjta linjë duhet të ndiqet edhe për Kosovën.

Kryeministri kosovar u shpreh se vetëm në dy vitet e para të qeverisjes së tij, Serbia solli katërfishin e ushtrisë në kufi, sponsorizoi terrorizmin dhe vazhdimisht përhap gënjeshtra dhe narrativa të rreme për të justifikuar aktet e tyre agresive ndaj Kosovës.

“Bashkimi Evropian dhe NATO i janë përgjigjur me të drejtë agresionit të Rusisë dhe kërcënimeve të sigurisë ndaj Evropës, jo duke e qetësuar Putinin, por duke sjellë Finlandën dhe Suedinë në NATO dhe duke i dhënë statusin kandidat Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë. Kërcënimi i sigurisë ndaj Ballkanit Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohet duke përdorur të njëjtën qasje, duke i dhënë Kosovës statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha Kurti.

Ai akuzoi Serbinë se po mban peng integrimin e të gjithë rajonit me politikat e saj destabilizuese.

“Arsyet e mungesës së progresit për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës nuk qëndrojnë në demokracinë dhe mbrojtjen e fuqishme të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, por në sjelljen e një regjimi autoritar. Për shkak se Serbia nuk është e interesuar për anëtarësimin në NATO dhe as në BE, ajo kërkon të bllokojë përparimin e të gjithë rajonit, duke penguar të gjithë rajonin”.

Këto komente, Kurti i bëri gjatë konferencës “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik” që u mbajt në Prishtinë.