Nga Ylli Pata/

Vendimet e qeverisë së SHBA ndaj disa zyrtarëve të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut, nuk kanë shumë lidhje me Shqipërinë. Por janë vendime tipike që kanë shumë të bëjnë me ne.

Është ndëshkuar kryeprokurorja Speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, e cila është dënuar nga një vendim gjyqësori për korrupsion. SHBA, ndërkaq ka ndëshkuar edhe një drejtues vendor të vendit fqinj, i cili ishte edhe eksponent i rëndësishëm politik.

Por thelbi i këtij aksioni të SHBA të kujton rastin Llalla. Një rast që është në thelb e gjith çfarë ndodh sot.

Kryeprokurorja Speciale e Maqedonisë së Veriut është ndëshkuar nga SHBA, pasi një gjykatë e vendit të saj e ka akuzuar se ka marrë rryshfet nga një biznesmen për të mos nisur hetimet ndaj tij.

Ndërsa kryeprokurori i Republikës së Shqipërisë, Adriatik Llalla, është shpallur non grata, pasi refuzoi të hetojë zyrtarët e lartë të vendit të tij.

Madje, Llalla tha në një prononcim për mediat se një diplomat i kishte kërkuar të hetonte Ilir Metën. E Llalla, me krenari tha që nga inati nuk do ta hetonte. Në fakt situata ishte krejt ndryshe, pasi ajo që tha Llalla, që sot nuk dihet se ku është e si është e çfarë është, përbënte një qokë politike.

Llalla shërbeu për dy vjet si artileri kundër SHBA, ku predhat ja mbushte Ilir Meta e Sali Berisha, së bashku me disa paneliste që sot janë “disiplinuar”. Megjithatë rasti “Llalla” dhe “Janjeva” kanë të përbashkët pikërisht atë që quhet pengimi i drejtësisë për interesa të politikës.

Janjeva u emërua kryeprokurore speciale nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut për të hetuar politikanët e korruptuar, por ajo nisi të gjobiste biznesmenët. Adriatik Llalla nga ana tjetër, u bë i famshëm, pasi tha në mediat pranë Sali Berishës dhe Ilir Metës, se Perëndimi, pra SHBA e BE, i ka kërkuar të hetojë Sali Berishën e Ilir Metën.

E Lllalla me një devotshmëri spartane tha se sa të ishte ai në krye të organit të akuzës, Doktorin e Liken nuk i heton kush. Po pse? A nuk janë edhe ata njerëz si gjithë të tjerët? Për Llallën jo, pasi ishte zgjedhur për këtë mision.

Ja ku jemi sot, e Sali Berisha e Ilir Meta janë në hetim. Nga njerëzit e opozitës kjo konsiderohet sulm politik, por për njerëzit dhe për ligjin nuk është se është dramë. Ca njerëz që kanë qenë gjithë jetën në pushtet, nuk është apo duhet të jetë ndonjë problem përballja me ligjin. Por në Shqipëri, kjo ka qenë e pamundur, e në momentin që kjo u bë e mundur, nisën trazirat.

E këtu është realisht përplasja politike në vend, që po i jep Edi Ramës mandate pa fund. Në momentin që Ilir Meta e Sali Berisha do të thonë se pranojnë çdo vendim të SPAK e ne do të përballemi me akuzat, duke mbrojtur veten, rrëzohet e gjithë kjo skemë.

Brenda ditës, si një kështjellë rëre, Po përse nuk e bëjnë? Përse pra? Këto pyetje retorika janë realisht dilema e opozitës shqiptare e cila sot lëngon nga të Lëvizja e Intatosur ndaj SPAK.