Sot 25 vjet më parë, 24 mars 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm të kryer kundër popullit të Kosovës. Sulmet filluan në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish-Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish-federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi.
Në 25-vjetorin e sulmeve të NATOs- në ish-Jugosllavi, presidentja Vjosa Osmani bëri homazhe në varret e ushtarëve të NATO-s. Ajo i falënderoi të gjithë ata që dhanë jetën për popullin e Kosovës duke parandaluar në këtë mënyrën shfarosjen e tyre.
“Në emër të popullit të Kosovës, këtij populli që ishte në rrezik nga shfarosja në vitin 1999, t’i falënderoj nga zemra secilin nga ushtarët e NATO-s që rrezikuan jetën e tyre në mënyrë që ta shpëtojnë tonin”, tha Osmani.
Një reagim e pati edhe Presidenti Bajram Begaj, i cili shprehu falenderime ndaj Aleancës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë akt historik për shqiptarët dhe rajonin e Ballkanit, ndërsa përkujtoi me nderim heronjtë e UÇK-së dhe viktimat e luftës në Kosovë.
“Faleminderit, NATO! Faleminderit, SHBA! 25 vjet më parë, më 24 mars 1999, NATO ndërhyri për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë. Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët”, shkroi Begaj.
Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë presidenti Clinton.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, mundësoi edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s. Sot, 25 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it janë në numër më të vogël. Ata janë të vendosur në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.