Nga Eduard Zaloshnja
Në fjalimin e tij në Asamblenë Socialiste të Qarkut Tiranë, Erion Veliaj deklaroi se PS-ja duhet të fitojë e vetme në zgjedhjet e 2025-ës, në mënyrë që të mos mbetet peng e ndonjë partie të vogël në katërvjeçarin e ardhshëm qeverisës socialist. Dhe ai theksoi se Qarku Tiranë ka numrin më të madh të mandateve parlamentare në vend, e si i tillë, përbën fushëbetejën më të madhe elektorale më 2025.
Por pas disa javësh sulmesh intensive ndaj Veliajt nga opozita dhe analistë të ndryshëm mediatikë, lind natyrshëm pyetja: A është dëmtuar pozicioni elektoral i PS-së në Qarkun Tiranë, meqë Veliaj është drejtuesi politik i qarkut? Më konkretisht, pyetja është nëse PS-ja do të merrte sot në qark po aq mandate parlamentare sa më 2021, më pak, apo më shumë?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje zhvillova dje një sondazh me SMS krejt të rastësishme, të shpërndara proporcionalisht në gjithë territorin e Qarkut Tiranë (qytete e fshatra). Plot 1218 banorë të rritur të qarkut e plotësuan pyetësorin e shpërndarë përmes linkut të përfshirë në SMS. Kampionin e ripeshova gjeografikisht, demografikisht, dhe politikisht, për ta përfaqësuar sa më mirë popullsinë e rritur të Qarkut Tiranë. Marzhi i gabimit statistikor ishte +/-3.1%.
Nga sondazhi rezultoi që, nëse zhvillohen zgjedhjet parlamentare sot, plot 36% e banorëve të rritur të Qarkut Tiranë nuk do të votonin fare. Ndërsa ndër ata që janë të vendosur të votojnë qysh sot, pothuaj gjysma do t’ia jepnin votën PS-së. Kurse pjesa tjetër e votave do të shpërndahej mes partive të ndryshme opozitare (shihni Garafikun 1 më poshtë).
Dhe si do të përktheheshin sot këto vota në mandate parlamentare në Qarkun Tiranë?
Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetje duhen bërë dy sqarime të rëndësishme elektorale: Së pari, bazuar në listën aktuale të zgjedhësve, Qarkut Tiranë do t’i takojnë tani 38 mandate parlamentare, nga 36 që i takuan më 2021 (me siguri pothuaj të plotë arthmetikore); së dyti, njësoj si më 2021, Kodi Zgjedhor në fuqi nuk lejon koalicione paraelektrorale shumë-listore (d.m.th., çdo subjekt elektoral duhet të futet në zgjedhje me listë kandidatësh më vete, pa i grumbulluar dot votat në një thes të përbashkët me subjekte të tjera që garojnë me listat e tyre).
Duke mbajtur parasysh dy faktet e rëndësishme të mësipërme, rezulton se me votat e të vendosurve të sotëm, PS-ja siguron sot 20 mandate në Qarkun Tiranë, nga 18 që mori më 2021. Ndërsa partitë e tjera sigurojnë 18 mandate, nga 18 që morën më 2021 (shihni Grafikun 2 më poshtë).