Për herë të parë në rajon, Tirana mirëpret Konferencën Ministriale të Zonës Europiane të Arsimit të Lartë, ku po marrin pjesë ministra dhe autoritete të larta të arsimit nga e gjithë bota.
Në ceremoninë e hapjes, ku ishin të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Ministra dhe drejtues të lartë të arsimit, Manastirliu në fjalën e mirëseardhjes nënvizoi arritjet që ka bërë Shqipëria në reformimin e arsimit të lartë.
“Kjo konferencë nuk është thjesht një forum diskutimi, por një platformë veprimi për të ardhmen e arsimit europian. Jemi këtu për të ndarë përvojat tona të ndryshme, përpjekjet tona të përbashkëta dhe sfidat tona, dhe për të caktuar qëllime dhe objektiva të rinj për të çuar më tej arsimin e lartë në mbarë Evropën,” theksoi Ministrja Manastirliu.
Në fjalën e saj, ajo citoi një shprehje latine: “Ne nuk mësojmë për hir të shkollës, por për hir të jetës,” duke shtuar se kjo është filozofia që po udhëheq Shqipërinë në zbatimin e reformës së arsimit të lartë, me synimin për të përmirësuar cilësinë, për të rritur ofertën akademike, për të rritur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të krijuar një ekosistem të gjallë të arsimit të lartë që përgatit brezin e ri.
Ministrja nënvizoi se sistemi i arsimit të lartë shqiptar i është nënshtruar rritjes dhe përmirësimeve përmes partneritetit ndërkombëtar.
“Besojmë se përmes ndërkombëtarizimit mund të rrisim cilësinë e universiteteve tona dhe të shndërrojmë peizazhin tonë të Arsimit të Lartë, duke e pasuruar atë në një ekselencë të tillë që vetëm universitete të shkëlqyera mund të na ofrojnë. Synojmë të bëhemi deri në vitin 2030 një pikë reference në të gjithë rajonin për arsim të lartë dhe për kërkimin shkencor. Për këtë arsye, jemi duke investuar në këtë bashkëpunim ndërkombëtar në programet e mobilitetit, në rishikimin e kurrikulës së programeve mësimore dhe në fuqizimin e kërkimit shkencor dhe rrjetit përkatës. Më shumë se 20 marrëveshje me shtete anëtare të BE-së dhe jo anëtare janë nënshkruar për të fuqizuar bashkëpunimin në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Të gjitha këto ura bashkëpunimi që po ngremë së bashku janë tregues të qartë të zotimit të plotë për zbatimin e Procesit të Bolonjës”, tha Manastirliu.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, përmes këtij ministeriali, synon riafirmimin e vlerave themelore të arsimit, duke përfshirë lirinë akademike, autonominë institucionale dhe sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.
Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, konferenca do të ketë një agjendë intensive, duke diskutuar rreth çështjeve të inovacionit, cilësisë dhe dimensionit social në arsimin e lartë përmes katër paneleve kryesore dhe sesioneve paralele me tema të ndryshme që në fokus kanë zbatimin e angazhimeve të Procesit të Bolonjës, inkurajimi i bashkëpunimeve ndërkombëtare, dhe sigurimi i cilësisë së arsimit të lartë. Forumi do të sjellë kontribute të vlefshme për zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe më gjerë.
EHEA Ministerial Conference Forum and Global Policy në dy ditët e zhvillimit të tij, në një agjendë intensive do të diskutojë rreth çështjeve të inovacionit, cilësisë, dimesionit social në arsimit të lartë në katër panele kryesore dhe sesione paralele me tema diskutimi të ndryshme.