Tenativa për vrasjen e ish-Presidentit amerikan Donald Trump është pasojë e demonizimit të personazheve nga mediat. Këtu e gjen fajin Presidenti serb Aleksandër Vuçiç për atë që ndodhi në SHBA, teksa përpiqet që atentatin ta përdorë për politikat dhe propagandën e tij.
Ai pretendon se mediat në rajon ia tjetërsojnë fjalimet dhe deklaratat qëllimisht që të mos dalë si politikan që kërkon paqe. Vuçiç, duke folur nga Egjipti gjatë një vizite zyrtare, nënvizoi se prej dy vitesh e gjysmë po flitet se Serbia do të sulmojë Kosovën, gjë e cila, sipas tij, nuk do të ndodhë.
“Kanë botuar dhjetëra mijëra tekste. Kurti, disa të tjerë, e deri tek Wesley Clark po gënjejnë, ndërkohë që disa po i dëbojnë serbët nga Kosova, të tjerët po bëjnë luftëra në mbarë botën. Askush prej atyre që gënjejnë nuk ka kërkuar falje”, tha Vuçiç.
Ai vazhdoi replikat në distancë me politikanët e Bosnje dhe Hercegovinës që e akuzojnë Serbinë për pretendime territoriale dhe për kryerjen e gjenocidit në luftrat e fundit. Madje, akuzat e boshnjakëve i konsideroi nxitje për ta vënë atë në shënjestër të atentateve.
“Kur të thonë se po të dënon Allahu, thonë se është deklaratë fisnike, që në fakt fajin e ka vetë ai që është shënjestër të atij sulmi. Kur të thonë se fëmijët e tu duhet të vriten me uranium, nuk është faji i atij që e tha këtë, por duhet të ngrihemi për mbrojtjen e të tillëve, ai që duhet vrarë me uranium të varfëruar apo çfarëdo qoftë, duhet dënuar”, u shpreh Vuçiç.
Vuçiç pretendoi se pothuajse kurrë nuk sulmon askënd dhe se gjithnjë e më shumë po vihen në shënjestër liderë liridashës në mbarë botën për shkak të narrativës së mediave dhe politikanëve që i konsideroi autoritarë.