Partia Socialiste e Shkodrës deklaroi sot se “projekti i hyrjes së qytetit të Shkodrës ka nisur zbatimin në respekt të plotë të ligjeve në fuqi dhe do të vijojë po sipas të gjitha procedurave ligjore”. Përmes një deklarate për mediet, PS Shkodër reagoi mbi deklaratat e djeshme të PD-së dega Shkodër, sipas së cilës “zbatimi i projektit ka nisur mbrapsht, me shkelje totale të ligjit”.
“Ka qenë fatkeqësisht gjithmonë kështu për të gjitha investimet e ndërmarra nga qeveria shqiptare në Shkodër. Jemi pak të habitur megjithatë nga paturpësia e ‘nxjerrjes së bishtave’ pikërisht për projektin e hyrjes së Shkodrës, projekt që krijon një hapësirë publike fantastike prej 19 hektarësh në breg të Bunës e liqenit, nga një parti që në 30 vite në pushtet i la trashëgimi qytetit një gjysëm lulishteje te shatërvani, duke e lënë Shkodrën në bisht të Shqipërisë për hapësirat publike dhe gjelbërimin”, thuhet në deklaratë.
“Një PD që i ka shkelur gjithmonë syrin paligjshmërisë dhe informalitetit në shpinë të qytetarëve të ndershëm, të fëmijëve, të të rinjve e të moshuarve të qytetit”, thuhet më tej. Sipas PS-së, projekti i hyrjes së Shkodrës ka qenë në zemër të programit ‘Shkodra Pozitive’ të kryetarit aktual të bashkisë dhe është mbështetur menjëherë nga qeveria shqiptare”.
PS solli në vëmendje qëndrimin e opozitës ndaj këtij projekti, ndërsa u kujtoi qytetarëve se “ky qëndrim ka ndërruar disa herë gjatë gjithë kohës”.
“Gjatë fushatës, PD deklaronte se ‘është projekt vetëm 3D, sa për zgjedhje, nuk do të bëhet kurrë; është projekt i pamundur për t’u bërë, janë vetëm fantazi me mbjellje pemësh në ujë; këtë projekt e ka bërë bashkia e PD-së dhe e ka bllokuar qeveria. Ndërsa pas zgjedhjeve: ‘ju thamë, projekti ishte vetëm fasadë për zgjedhje, asgjë nuk po ndodh, nuk do të bëhet kurrë. Për t’u kthyer sot me fillimin e punimeve në refrenin e vjetër: ‘ky nuk është projekt që i duhet Shkodrës, është në dëm të qytetarëve shkodranë etj. etj”, thuhet më tej në reagimin e PS-së Shkodër.
PS e Shkodrës thekson se projekti i hyrjes së qytetit të Shkodrës ka gjetur mbështetje e vlerësim nga të gjithë shkodranët.
“Edhe vetë pronarët e ndërtimeve që do të shemben kanë shprehur mirëkuptim, duke e vlerësuar projektin si një e mirë e përbashkët publike, nga e cila përfitojnë të gjithë. Është tashmë fakt i njohur se çdo gjë është bërë në bashkëveprim me ta, siç edhe do të vijojë çdo etapë e projektit.
Sigurisht ky është vetëm njëri nga projektet e mëdha dhe transformuese për Shkodrën”, thuhet më tej.
PS siguron se shumë shpejt kantiere të tjera do të hapen në Shkodrën tonë, që tashmë është futur në rrugën e pandalshme të investimeve të rëndësishme dhe me impakt te çdo shkodran.
“Në fund, një kërkesë për kolegët tanë opozitarë, me të cilët ulemi në një sallë në këshillin bashkiak të Shkodrës. Fushata elektorale është ende larg, ende nuk ka nisur. Deri atëherë të bëjmë të gjitha përpjekjet, të bëjmë më të mirën për Shkodrën. Shpresojmë shumë ta kenë sinqerisht kur thonë se nuk janë kundër investimeve dhe zhvillimit të qytetit. Besojmë se ky duhet të jetë objektivi ynë i përbashkët, por nëse kanë vendosur që edhe në opozitë ta vënë partinë para Shkodrës, u kujtojmë se ai tren ka ikur një herë e mirë në maj 2023. Asgjë nuk mund ta frenojë ritmin e punëve në qytet dhe programin transformues që do ta kthejë Shkodrën atje ku i takon, në qendër të rëndësishme ekonomike, urbane e kulturore në krye të vendit”, përfundon deklarata e PS-së Shkodër.
Nga ana tjetër, PD e Shkodrës deklaroi dje se “asnjë zgjidhje alternative nuk iu është ofruar bizneseve apo personave që kanë punuar në objektet e shembura”.
“Janë më shume se 300 familje që kanë jetuar me ato të ardhura e sot janë pa asnjë mundësi. Gjithashtu flitet për dëmshpërblim të pronarëve, me vlerë referenciale. Një gjë qesharake dhe e turpshme, duke i larguar nga prona e tyre me vetëm dy lekë”, thuhet në reagim.
Partia Demokratike kërkon me vendosmëri t’ju gjendet zgjidhje alternative të gjithë biznesmenëve dhe punonjësve të shërbimit, duke ia krijuar mundësinë për të punuar e jetuar.
“Kërkojmë që dëmshpërblimi i pronarëve të jetë me vlerën e tregut, dhe jo siç iu ka shkuar shkresa me një vlerë modeste e qesharake. Ne kërkojmë zgjidhjen e problemit të trafikut në hyrje të Shkodrës në investimin e urës së Bahçallekut, duke e bërë me 4 korsi”, thuhet në deklaratën e PD Shkodër.