Sipas Blendi Klosit, Partia Socialiste nuk ka kundërshtarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi deklaroi se Partia Demokratike ka organizim më të keq se në vitin 1997.

“Kjo historia e 10 garave të fundit, dëshmon se PS vazhdon të marrë më shumë sesa një palë zgjedhje më përpara, vazhdon të organizohet, vazhdon të përmirësojë veten e saj, vazhdon të bëjë punë të mira për Shqipërinë. Rezultati që presim në 2025, është rezultat më i mirë se në 2021, për atë që kemi bërë për Shqipërinë. Sesa do të jetë rezultati, nuk di të them. PD është më keq se në 1997, sepse është më keq PD si strukturë, si organizim, janë po të njëjtë personazhe në drejtim, e njëjta politikë e 1997, i njëjti grup refraktar që mbyll PD. Politika në Shqipëri ka avancuar shumë.

Shumë më tepër është zona gri, ato që nuk votojnë. Kjo pjesë do të shkojë drejt PS, është e vetmja forcë politike që ka organizim, frymë fituese dhe lidership. Kemi sondazhet tona. Mandatet nuk kanë shumë rëndësi. PS në 3 garat e fundit ka pasur mazhorancë të qëndrueshme në parlament. Nuk besoj se PS ka kundërshtarë forcat politike në vend, i kemi mundur të gjithë. Kemi ballafaqimin me qytetarët. Kjo është pikëpyetja jonë, a na mbështesin më qytetarët”, theksoi ai.