Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamjet e mrekullueshme nga zona e Qafë Thanës, në juglindje të vendit, që tashmë është “veshur” me petkun e dëborës. Me bardhësinë dhe bukurinë e natyrës, ky vend mund të jetë destinacioni i duhur për ata që duan të kalojnë një fundjavë ndryshe, shprehet Kryeministri.

Ministrja e Insfrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh sot se ky aks po pastrohet rregullisht nga bora për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Por, Balluku bëri thirrje për kujdes të shtuar ndaj drejtuesve të automjeteve. “Kontrolloni gjendjen e gomave dhe përdorni zinxhirët kur është e nevojshme; Mbani distancë të sigurt nga mjetet e tjera; Mos udhëtoni me shpejtësi të lartë – rrëshqitjet janë të mundshme; Sigurohuni që fenerët dhe pasqyrat të jenë të pastra. Bashkë mund ta mbajmë qarkullimin të sigurt dhe rrugët të kalueshme! Udhëtim të mbarë dhe kujdes për veten”, tha Balluku në një postim në Facebook.

Qafë Thana nën petkun e dëborës dhe rruga e qarkullueshme për të shijuar bardhësinë e jugdlindjes këtë fundjavë, e bëjnë këtë vend një nga më të veçantët këtë fundnëntori.

Dogana e Qafë Thanës, është pika kryesore hyrëse e fluksit të qytetarëve në juglindje të vendit, ndërsa është vizituar nga një numër i madh turistësh gjatë gjithë vitit. Kjo pikë kufitare lidh vendin tonë me Maqedoninë e Veriut, ndërsa në prag të festave të dhjetorit pritet të ketë fluks më të shtuar vizitorësh.