Pasi thyen çdo rekord në Angli, me 6 tituj në 7 vitet e fundit, Man.City po përjeton anën tjetër të medaljes, rekorde negative si kurrë më parë që kur “qytetarët” kaluan në pronësi të sheikëve. Ky është një realitet i ri të cilin e ka pranuar edhe Pep Guardiola, por tekniku spanjoll po kërkon në mënyrë të dëshpëruar të rikthehet te rezultatet pozitive, për këtë arsye vendosi që ai së bashku me ekipin të stërviteshin edhe në këtë ditë Krishtlindje, në vigjilje të sfidës kundër Evertonit të Brojës:

“Do të stërvitemi edhe sot, djemtë po impenjohen si kurrë më parë, por janë ato detajet e vogla dhe të mëdha që bëjnë diferencën. Do të përballemi me Everton, një skuadër që po kalon një moment të mirë, rezultatet dhe paraqitja e tyre e tregon këtë. Shpresoj që me lojtarët e mi të arrijmë një rezultat pozitiv. A është rikuperuar ndonjë lojtarë? Në këto momente nuk di ta them”, u shpreh Guardiola.

Tekniku spanjoll u ndal më pas te Haaland, te fakti që norvegjezi po kalon një periudhë thatësie: “Ai është shumë i rëndësishëm për ne, ka qenë dhe do të jetë. Do të përpiqemi t’i bëjmë gjërat më mirë në mënyrë që ta shfrytëzojmë si duhet”, u shpreh Guardiola.

Në këtë fund viti, Man.City e sheh veten në vendin e 7-të, në kuotën e 27 pikëve, 12 pikë larg Liverpool-it kryesor, por të kuqtë kanë edhe një ndeshje më shumë në dispozicion.