Udhëheqësi i Hezbollahut pretendoi se marrëveshja e armëpushimit me Izraelin është një “fitore hyjnore” për grupin militant dhe partinë politike libaneze.
Në adresimin e tij të parë që kur hyri në fuqi armëpushimi me 27 nëntor, Naim Qassem tha më 29 nëntor se Hezbollahu, që mbështetet nga Irani, ka “fituar sepse ne kemi parandaluar armikun që ta shkatërrojë Hezbollahun” dhe ta dobësojë “rezistencën” libaneze.
Hezbollahu, që kontrollon shumicën e jugut të Libanit dhe është i përfaqësuar në Parlament, është shpallur organizatë terroriste nga Shtet e Bashkuara, por Bashkimi Evropian ka në listë të zezë vetëm krahun ushtarak të grupit.
Armëpushimi i dha fund luftimeve pothuajse 14-mujore ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut. Izraeli rriti presionin duke nisur një ofensivë tokësore në jug të Libanit në tetor dhe duke kryer sulme masive ajrore ndaj bastioneve të Hezbollahut në Bejrut dhe pjesë të tjera të shtetit.
Armëpushimi po ashtu i jep fund pranisë së Hezbollahut në jug të Libanit. Izraeli, po ashtu, duhet të tërheqë trupat nga Libani brenda 60 ditësh të hyrjes në fuqi të paktit.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, më 26 nëntor e paralajmëroi Hezbollahun se Izraeli do të ndërmarrë veprime nëse dyshon që Hezbollahu po shkel marrëveshjen.
Të premten, pak orë para fjalimit të Qassemit, Izraeli tha se ka goditur një raketahedhës të Hezbollahut në jug të Libanit, pasi detektoi aktivitet militant.
Shtetet e Bashkuara dhe Franca po mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit, që përfshin edhe pjesë ku thuhet se mijëra ushtarë libanezë duhet të zhvendosen në jug të Libanit dhe të punojnë me paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara dhe të mbajnë Hezbollahun larg nga kufiri izraelit.
Hezbollahu ka gjuajtur raketa drejt veriut të Izraelit që nga nisja e luftës në Gazë në tetor të vitit 2023. Ky grup ka thënë se do të ndalë sulmet vetëm pasi Izraeli t’i japë fund luftës së tij në Gazë.
Në 14 muajt e fundit, Izraeli ka vrarë pothuajse të gjithë udhëheqjen e Hezbollahut, përfshirë paraardhësin e Qassemit, Hassan Nasrallahun, dhe ka shkatërruar arsenalin ushtarak të grupit.
Izraeli është zotuar se do të sigurohet që Irani të mos vazhdojë ta financojë dhe armatosë grupin dhe ka paralajmëruar presidentin sirian, Bashar al-Assad, kundër lehtësimit të ndihmës iraniane për Hezbollahun./ REL