Në Kosovë mbahen sot zgjedhjet parlamentare, të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.
28 subjektet politike me 1.280 kandidatë, konkurrojnë për mbështetjen e rreth dy milionë votuesve për të siguruar vendet në parlamentin 120 vendesh të Kosovës. Njëzet nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë gjashtë subjekte politike. 125 852 mijë qytetarë votojnë për herë të parë.
Votimi ka nisur në orën 07:00 të mëngjesit së sotëm, 9 shkurt, dhe mbyllet në orën 19:00 në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. 941 qendra votimi janë hapur në 38 komunat e Kosovës, ndërsa votimi ka nisur edhe në Mitrovicën e Veriut. Kjo është hera e parë që qytetarët serbë në veri u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore. Qytetarëve iu bashkua edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek.