Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur sot disa pyetjeve nga qytetarët, në rubrikën “Sy m’sy” në platformat sociale.

Kryeministri e nisi përgjigjen e tij duke marrë shkas nga njoftimi i sotëm, për Panairin e Punës që do të organizohet në Athinë, në 2 mars, që konsiderohet një “ftesë” në adresë të bashkatdhetarëve tanë në Greqi, për t’u njohur me perspektivën e kthimit të plotë a të pjesshëm me punë në atdhe, përmes panairit të parë të këtij lloji, i cili hap një derë të re komunikimi me diasporën për Shqipërinë 2030.

“Sot, postuam njoftimin për Panairin e Parë të Punës në Athinë në 2 mars dhe ka pasur komente nga më të ndryshmet, siç është e natyrshme dhe pozitive të jenë, se ndryshe nuk kemi mundësinë që t’i diskutojmë si duhet gjërat”, u shpreh Rama.

Një nga ndjekësit, shkruan në postimin e kryeministrit Rama se nuk duhet të pretendohet kthimi në Shqipëri, nëse nuk bëhen rrogat dhe pensionet në nivel evropian.

“E ke gabim, e dashur Dori, sepse ka plot që kthehen dhe u del llogaria më mirë në fund të vitit sidomos kur kursimet andej, i investojnë këtej në fshatin e tyre, për një fermë, për një agroturizëm, për një pikë përpunimi. Pensionet evropiane nuk bëhen aq kollaj sa shkruhet një koment. Shumëkush thotë: “Dua pension evropian në Shqipëri”, por sigurimet shoqërore i ka paguar gjithë këto vite në Greqi.

Nuk është e mundur nëse nuk mbyllim marrëveshjen e pensioneve me Greqinë, siç e mbyllëm me Italinë apo plot vende të tjera, që të mund t’i japim një pension, siç e dëshiron, këtu në Shqipëri”, shprehet kryeministri Rama.

Sipas kryeministrit Rama, kur Partia Socialiste mori detyrën e qeverisjes së vendit, nuk kishte fare marrëveshje pensionesh, madje Shqipëria nuk kishte fytyrë të ulej si e barabartë në tryezë me të tjerët.

Një tjetër ndjekës, i shkruan kryeministrit Rama në platformat sociale se nuk e mendon kthimin në Shqipëri, për sa kohë që ka sorollatje për marrjen e një dokumenti zyrtar apo për faktin që nuk ka gjetur ende zgjidhje çështja e ndërtimeve pa leje në pronën e tjetrit.

“Po, jo more miku im, Ladi, është më kollaj se në Greqi dhe Itali për të marrë dokumentet, se i merr në celular nga aty ku je, pa luajtur vendit hiç. Ndërsa, për ndërtimet e bëra në pronat e të tjerëve apo tënden, ke të drejtë. Këtë e kemi peshqesh nga “Këneta” jonë që e bëri Shqipërinë lesh dhe li, por dhe kjo po vihet në vend, dhe brenda kohës së negociatave me Bashkimin Evropian do ta mbyllim edhe këtë plagë të madhe që e trashëguam nga “Këneta” jonë, dhe Shqipëria 2030 nuk do ta ketë më këtë problem”, tha Rama.

Një tjetër komentues, i sjell në vëmendje kryeministrit Rama situatën e problematikës me ujin e pijshëm dhe mungesën e tij në disa zona, ndërsa sipas tij në Shqipëri ka më shumë të moshuar se rini.

“Tirana, i dashur, ka 24 orë ujë në 67% të territorit dhe 17 orë ujë mesatarisht në pjesën tjetër. Vazhdojnë investimet në Tiranë dhe në tërë Shqipërinë ku, të merremi vesh, nuk ka pasur 24 orë ujë asnjëherë, as në kohën e komunizmit. Sot shtohen zonat me 24 orë ujë, ndërkohë që kur ne morën detyrën në asnjë zonë nuk kishte 24 orë ujë. Sa për Shqipërinë plot me pleq, shiko se mos ka më shumë pleq Greqia se Shqipëria, dhe kur t’i gjesh në Greqi fshatrat e mbushur me rini, të lutem postoje t’i shohim edhe ne pleqtë e Shqipërisë.

Një gjë di unë me siguri, në turizëm dhe ndërtim del më mirë hesapi po të punosh këtu se atje. Prandaj po e bëjmë edhe panairin e parë, je i ftuar, do të prezantojmë edhe portalin e vendeve të punës aty ku shqiptarët e Evropës kanë zemrën, në Shqipëri”, përfundon kryeministri Rama.