Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton përmes ueb-faqes së tij se pjesëmarrja në zgjedhje, deri më tani, ora 15:00, ka arritur në 17.36 për qind.

KQZ-ja pritet të dalë në konferencë për media në 15:30 me të rejat e fundit.

Kujtojmë se KQZ ka thënë më herët se procesi është duke u zhvilluar qetë dhe nuk është raportuar për ndonjë incident të madh.

Ka pasur raportime për vonesa në hapjen e disa vendvotimeve dhe shqetësime për shënjimin e gishtërinjve me ngjyrë matrikuluese, por KQZ-ja nuk i ka adresuar këto çështje.

Katër kandidatët për kryeministër, Albin Kurti, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës dhe u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të veprojnë njëjtë.

Thirrje të ngjashme ka bërë edhe presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

Në këto zgjedhje po marrin pjesë edhe serbët lokalë, ndonëse kishin bojkotuar zgjedhjet prej nëntorit të vitit 2022, kur Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, pati dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Një pjesë e serbëve që financohen nga shteti i Serbisë, kanë votuar kolektivisht në një qendër votimi në Mitrovicë të Veriut.

Zgjedhjet janë duke u mbikëqyrur nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV) dhe vëzhgues të angazhuar nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë.