Qeveria e Kosovës ka ndarë 6.7 milionë euro për t’i paguar për kompaninë “Mabco Construcion” të Behgjet Pacollit për rastin e Hotel “Grandit”, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare.

Siç bëhet e ditur në dokumentin e publikuar nga Qeveria, 5.3 milionë euro ndahen për dëmshpërblim dhe kamatë, rreth 400 mijë euro për koston e përfaqësimit dhe mbi 1.1 milionë dollarë në emër të kostos së arbitrazhit

Në fillim të këtij viti, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimore vendosi që deputetit Behgjet Pacolli t’i kthehen mjetet që kishte dhënë për blerjen e 40 për qind të aksioneve në hotelin “Grand”, në vitin 2006 kur u privatizua. Pacolli, në maj të vitit 2017, në arbitrazh kërkoi që t’i kthehen mjetet që i kishte dhënë për blerjen e aksioneve të “Grandit”.

Atëkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke komentuar vendimin e Gjykatës, deklaroi se është vërtetuar që hoteli mbetet në pronësi publike, por nuk kishte hedhur akuza për keqpërdorime.

Hoteli “Grand” u ndërtua në vitin 1978. Deri në luftë ishte pronë-shoqërore.

Pas luftës, menaxhimi i tij i kaloi Agjencisë së Kosovës për Mirëbesim deri në vitin 2006, kur u privatizua.

Garën për Grandin e fitoi kompania Unio Commerce, në pronësi të Zelqif Berishës, e cila ka ofruar 8.1 milionë euro. Pas shpalljes së fituesit, doli se ai nuk ishte i vetëm, gjë që çoi në përplasjet mbi pronësinë dhe aksionet. Nuk munguan as akuzat për ryshfet e zhvatje ku përfshihen biznesmenë e politikanë me ndikim.

Zelqif Berisha u bë zyrtarisht pronar i hotelit “Grand” më 13 tetor 2006, kur të gjitha aksionet i kaluan kompanisë Unio Commerce. Në marrëveshjen që kishin lidhur me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, investitori obligohej që brenda 6 muajsh të punësonte 270 punëtorë, e kur të bëhet 1 vit nga nënshkrimi, 570 punësime. Gjithashtu kontrata obligonte Unio Commerce-in për investimin e 20 milionë e 200 mijë eurove brenda 2 vjetësh.

Por, përtej dokumenteve e shitjes zyrtare, për “Grandin” dolën edhe dy persona që pretendonin pronësi ose aksione mbi të.

Sipas shkresave të lëndës në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimore dhe dëshmive që kanë dhënë palët për këtë çështje në marrëveshje me Berishën u përfshinë edhe biznesmenët Behgjet Pacolli dhe Remzi Ejupi.

Pacolli, në arbitrazh ka deklaruar se Berisha nuk i ka pasur mjetet e nevojshme, të cilat i ka ofertuar për blerjen e “Grandit”. Në pamundësi që ta përballojë investimin, nëpërmjet personave të tjerë, Berisha, sipas Pacollit, ka kërkuar që ai dhe Ejupi, jo zyrtarisht të përfshihen në blerjen e hotelit.

Pacolli pretendon se ka paguar rreth 4 milionë euro për 40 për qind të aksioneve në “Grand”. Por në arbitrazh, zyrtarë të AKM-së, që më pas u quajt AKP, kanë deklaruar se nuk janë njoftuar për marrëveshjen mes biznesmenëve, shkruan Koha.