– Anëtari i partisë “Lëvizja Bashkë”, Kristjan Zoto i ka drejtuar një pyetje publike drejtuesit të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapajt. Në një postim që ka bërë në rrjetet e tij sociale, Zoto pyet Lapajn nëse ka pasur rolin e ndërmjetësit për marrëveshjen e ndërtimit të një kompleksi turistik në Gjirin e Krorëzës. Madje ka nxjerrë edhe foton e një dokumenti, ku shkruhet se Lapaj, bashkë me Oliana Andonin, të dy janë përfaqësues të kompanisë “TDT & PARTNERS”.

“Adriatik Lapaj, a është i vërtetë ky dokument ku figuron firma juaj si ndërmjetësues për marrëveshjen e ndërtimit të një kompleksi turistik në Gjirin e Krorëzës? TDT & PARTNERS është një kompani e përfshirë në projekte të mëdha ndërtimi në disa nga zonat më të bukura dhe të paprekura të bregdetit shqiptar, përfshirë Gjirin e Krorezës dhe Kalanë e Lëkursit. Kjo kompani lidhet drejtpërdrejt me Dajlan Avdian (ish-pronarin e “APEX”), një nga ndërtuesit më të fuqishëm në vend, i cili ka përfituar qindra milionë euro nga statusi i “investitorit strategjik” për projekte luksoze në bregdetin e jugut. Përveç kësaj, ai është pas ndërtimit të tre kullave në Tiranë, përfshirë kullën pranë Sahatit, si dhe dy të tjera në zonën e Bllokut dhe pas Presidencës. A mund të sqaroni publikisht rolin tuaj në këtë marrëveshje?,”-shkruan Zoto në postimin e tij.

Por deri më tani, ende nuk ka asnjë përgjigje nga ana e Lapajt.

Ndërtuesi i resortit prej rreth 680 mijë metrash katrorë është kompania TDT & Partners, kompania që zotërohet nga dy vëllezërit Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi. Resorti është projektuar nga studi spanjolle Bofill, ndërkohë që pjesë e tij ka qenë dhe studioja shqiptare Dalmat Architechture.