Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të hapet në ditët e para të majit. Kështu ka deklaruar ministrja Belinda Balluku, duke theksuar se gjithçka po bëhet gati për fluturimin inagurues të kësaj vepre madhore për jugun. Avioni i kompanisë shqiptare “Air Albania” do të bëjë fluturimin e parë.
Ajo është shprehur se Aeroporti i Vlorës do të ketë pistën më të madhe në Ballkan, me një gjatësi prej 3.2 kilometrash dhe me një terminal gjigand prej 22 mijë metrash katrorë.

“Sot, jemi vetëm pak ditë larg nga ulja e avionit të parë në aeroportin e Vlorës. Në ditët e para të majit, Airalbania do bëjë fluturimin inaugurues duke prekur pistën më të madhe në Ballkan, 3.2 kilometra dhe 22 mijë metra katrorë terminal.
Ai terminal kur nisi fillimisht projekti nisi vetëm për 5 mijë metra katrorë dhe sot konsorciumi në VIA është duke ndërtuar 22 mijë metra, pasi volumet dhe parashikimet që ne kemi për dekadat në vazhdim flasin për një numër të konsiderueshëm turistësh, pasi dhe vetë viti 2025, krahasimisht me vitin 2024 në katër muajt e parë ka 30% rritje në numrin e vizitorëve.
Dhe siç e patë edhe në hartën e prezantimit, sepse ne e themi gjatë gjithë kohës që është më afër Fierit sesa Vlorës ai aeroport, por ju e patë me sytë tuaj sesa larg është nga Pishporo aty ku përfundon ajo promenada, shëtitorja e bukur prej 21 kilometrash që do të jetë gjëja e parë, besoj unë, që do të ndërtojmë”, është shprehur ministrja Belinda Balluku.