Ish-këshilltari i Tony Blair, Alastair Campbell ka folur në një nga episodet e fundit të podcast-it “The Rest is Politics” në lidhje me mbajtjen në burg të kryebashkiakut Veliaj pa një akuzë zyrtare, si një vendim të padrejtë.

Campbell e cilësoi mbajtjen në burg të Veliajt për një kohë kaq të gjatë si diçka skandaloze, ndërkohë që ai vazhdon të jetë drejtues i bashkisë së qytetit më të rëndësishëm të vendit dhe një qyteti të rëndësishëm europian.

“Ajo çfarë mendoj se është skandaloze është se ai është në burg prej disa muajsh pa u akuzuar zyrtarisht për asgjë. Është ky institucion – SPAK – një gjykatë speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili është pjesë e punës së Edi Ramës për të luftuar korrupsionin… Dhe SPAK ka fuqi të jashtëzakonshme dhe pretendon se ka shumë prova kundër Erion Veliajt, por ai ka qenë në burg për muaj të tërë, pa iu komunikuar një akuzë…

Ai vazhdon të jetë kryetar bashkie, ndërkohë që është në burg, që do të thotë se duhet të drejtojë qytetin e Tiranës, më të madhin në vend… Pra, SPAK mendoj se duhet ose të ngrini një akuzë zyrtare ose bëni diçka. Mendoj se është paksa e tepërt të presësh nga dikush që të jetë kryebashkiaku i njërit prej qyteteve kryesore në Evropë – padyshim kryesori në Shqipëri – ndërkohë që je në burg…”