Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, nisi nga Velipoja inspektimet në bashkitë bregdetare, në nisje të operacionit “Plazhe të Pastra”, ku për të katërtin vit Agjencia Kombëtare e Bregdetit mbështet këto bashki në menaxhimin e pastrimit dhe mirëmbajtjes së plazheve nga 15 qershori deri më 15 shtator.
Bashkë me kryebashkiakun Benet Beci, ministrja Kumbaro pa nga afër situatën e plazheve në bregdet, ndërsa theksoi se “këtë vit sezoni ka nisur më herët dhe flukset janë 4% më të larta se e njëjta periudhë e vitit të shkuar”.
“Këtë vit, në gjithë Shqipërinë ka nisur më herët sezoni i plazhit dhe turizmit detar. Fillojmë këtë javë edhe operacionin “Plazhe të Pastra”, operacion i përbashkët i bashkive të bregdetit me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit për pastrimin 24 orë të plazheve dhe gjithë hapësirave pranë pjesës së bregdetit nga Velipoja deri në Ksamil. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi një fluks në rritje prej 4% gjatë muajve janar-maj”, tha ministrja Kumbaro.
Nga ana tjetër, Kumbaro ngriti shqetësimin se rritja e hapësirave publike të plazheve për sezonin veror 2025, kërkon përgjegjësi të shtuar jo vetëm nga ana e institucioneve për mirëmbajtjen e territorit, por edhe bashkëpunimin e bizneseve, banorëve dhe pushuesve, duke theksuar se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit këtë vit do të jetë më intensiv.
“Me ndryshimet që kemi bërë në rregulloren e re të plazheve të vitit 2025, vetëm subjektet të cilët disponojnë struktura akomoduese, mund të aplikojnë për menaxhimin e plazheve në mënyrë private, çka do të thotë që jo vetëm kemi rritur sipërfaqen e plazheve dy herë më shumë se vitin e kaluar”, tha Ministrja.
Kumbaro informoi se në Bashkinë Shkodër kemi rreth 60% plazhe publike që do të thotë më shumë punë për ne, më shumë përgjegjësi për bashkinë për të mirëmbajtur dhe pastruar territorin”.
“Është e rëndësishme të theksojmë se nuk mund t’ia dalim dot të mirëmbajmë pastërtinë dhe rregullin nëpër plazhe në qoftë se banorët, pushuesit dhe bizneset të cilat do lloji qofshin, nuk bashkëpunojnë me ne. Policia e Shtetit këtë vit do të jetë krah nesh për çdo problem, qoftë me zaptimin e plazheve, qoftë me bllokimin e koshave. Çështja e pastërtisë do të jetë një kauzë kombëtare sepse nuk mund të kemi turizëm të suksesshëm nëse nuk ia dalim sfidës së pastërtisë”, u shpreh Kumbaro, duke sqaruar se do të ketë zero tolerancë edhe ndaj përpjekjeve për zaptim të plazheve.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, nga ana tjetër tregoi se bashkia po punon për ngritjen e disa modeleve të menaxhimit publik të plazheve nga ana e bashkisë.
“Me ligjin e ri dhe planin që kemi ndërtuar, hapësirat publike të plazheve këtë sezon janë dukshëm më të mëdha dhe në dispozicion, mesatarisht dy herë më shumë se vitin e kaluar, gjë që është mirëpritur shumë edhe nga pushuesit”, tha Beci.
Ministrja Kumbaro do të vijojë turet inspektuese edhe në bashkitë e tjera të vendit, me qëllim forcimin e masave për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e hapësirave bregdetare pas hyrjes në fuqi të rregullores së re të plazheve për vitin 2025.