Po jetojmë në një vend ku drejtësia ka hyrë në reality shoë. Në njërin cep kemi SPAK-un, në tjetrin OnlyFans-in. Të dy premtojnë zbulesë, tronditje, ndjeshmëri, “ekskluzivitet” dhe ndonjëherë përse jo?, edhe pak zbavitje. Dallimi është se vajzat e OnlyFans-it e thonë hapur që duan lekë. Ndërsa SPAK-u e quan “luftë kundër korrupsionit”.

Sapo Dumanit i rrëshket një deklaratë, media kthehet në orgji klikimesh. Thuajse ndodh e njëjta histeri sikur një banore e Big Brother-it ka bërë pa dashje (apo me shumë dashje) një “gabim teknik” me kamerat. Po ç’janë këto lajme që na bien si meteorë në kokë? Një arrestim me bujë, një fjalim me timbër solem, një konferencë me tavolina të bardha dhe “PoëerPoint”-e që shpjegojnë sa i fortë është shteti. E pas çdo aksioni të SPAK-ut, ekrani ndahet në dy, në njërën anë është lajmi i radhës për arrestimin e shefit të shefit të shefit të një bordi anonim; në tjetrën një modele që ka bërë 100 mijë euro me këmbët e veta.

Statistikat? Tabelat? Infografikët? I njëjti film i shfaqur për herë të katërt në kinema verore. 487 të arrestuar, 173 në hetim, 89 të ekstraduar, 71 në kërkim kjo është llogaritari magjik që përdor SPAK-u. E çdo numër, si me magji, fryhet sa për të mbuluar atë që nuk thuhet, që pas çdo “aksioni spektakolar” nuk fshihet drejtësia, por një regji. Dhe regjisorët janë mjeshtër, e dinë si të krijojnë një “trailer” që konkuron çdo story me bikini.

Sepse sot, o je e njohur në OnlyFans, o je dosje në SPAK. Të dyja formojnë VIP-at e rinj të shoqërisë shqiptare. Njërët për trupin, të tjerët për skandalin. Dhe të dy palët kanë fansa. Vetëm që SPAK-u e ka median si “agjenci menaxhimi imazhi”, e trumbeton çdo lëvizje sikur ka zbritur Moisiu nga mali me tabelat e ligjit, kur në fakt, është thjesht një tjetër shoë për të harruar që askush nuk po dënohet siç duhet, se të fortët sërish janë jashtë, dhe “lufta kundër korrupsionit” është kthyer në një “komedi dokumentare”.

Në fund, historia është kjo, vajzat e OnlyFans-it na shesin iluzionin e ndjeshmërisë për 9.99€/muaj. SPAK-u na shet iluzionin e drejtësisë për një titull bombastik në media. Dhe shqiptarët, si gjithmonë, klikojnë. Disa për këmbët, të tjerët për kallëzimet penale.

Por thelbi është ky, të dyja palët e dinë që audienca kërkon spektakël. Dhe në këtë vend, spektakli ka zëvendësuar drejtësinë. Me një “subscribe” në mendje dhe një “arrestim të bujshëm” në titull, vazhdojmë jetën, me iluzionin që po ndodh diçka e madhe.
S’po ndodh gjë. Po klikohet./ Nga rubrika ‘Ironi pas pune’, Lexo.al